E Diel, 1 Nëntor 2026

Video “Prifti-Beqiri”, me 70 mijë euro, në sitë tenderat dhe telefonat

29/07/2011  Prokuroria, shtyhen hetimet edhe me 3 muaj të tjerë, kërkon informacion nga METE

TIRANE-Hetimet për dosjen penale “Prifti-Beqiri” pritet të shtyhen dhe me tre muaj të tjerë, për shkak se Prokuroria e Përgjithshme momentalisht është në pritje të informacioneve që ka kërkuar për këtë çështje nga Ministria e Ekonomisë dhe kompanitë telefonike. Vendimi për shtyrjen e afateve hetimore do merret në ditët e para të muajit gusht, (9 gusht afati i fundit) ku mësohet se organi i akuzës qendrore do i drejtohet Gjykatës së Lartë, për shtyrjen e afateve të hetimit lidhur me procedimin penal nr.2 që është regjistruar në emër të ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe ish-zv/ministrit Leonard Beqiri. Lajmi bëhet i dituar nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se aktualisht janë në pritje të tabulateve telefonike nga kompanitë celulare dhe të disa dokumentacioneve nga Ministria e Ekonomisë. Pak kohë më parë nëpërmjet një shkrese Prokuroria i ka kërkuar ministrisë, vënien në dispozicion të dokumenteve që bëjnë fjalë për tendera dhe disa leje koncesionare. Këto veprime të Prokurorisë, mbështeten në dyshime të arsyeshme se shuma prej 70 mijë eurosh e ndarë mes Dritan Priftit, asokohe drejtues i METE-s dhe zëvendësit të tij Leonard Beqiri, mund të jetë përfituar si rezultat i korrupsionit në lejet konçesionare apo tendera të ndryshëm. Lidhur me këtë kërkesë, por edhe kërkesës tjetër për vënien në dispozicion të tabulateve telefonike me qëllim verifikimin e personave që kanë folur të dyshuarit Prifti e Beqiri, Prokuroria momentalisht s’ka marrë asnjë përgjigje. Në këto kushte drejtuesit e Prokurorisë pritet që të shtyjnë edhe me tre muaj të tjerë veprimet hetimore ndaj dy zyrtarëve të lartë që akuzohen për veprën penale të korrupsionit. Nëpërmjet këtij vendimi organi i akuzës zgjat kohën për marrjen e informacionit, nga ku më pas do kryhen verifikimet e nevojshme për të provuar ose jo, dyshimet që kanë lindur rreth kësaj çështjeje penale. Burimet i thanë gazetës “Metropol” se hetimi rreth kësaj dosje korruptive do vijojë dhe se vendimi i 11 korrikut i Gjykatës së Lartë që nxjerr të pavlefshëm aktin e ekspertimit të videos “Prifti-Meta” të kryer nga amerikani Glen Bard, nuk mund të shtrijë efektin juridik në një çështje që vazhdon të hetohet dhe që s’ka lidhje me dosjen e të pandehurit Ilir Meta, që aktualisht është në proces gjykimi. Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur ta përdorë akt-ekspertimin e Glenn Bard në dosjen hetimore “Prifti-Beqiri”, duke shpresuar që ta mbështesë atë dhe me disa prova të tjera që pritet të administrohen në dosje. Rreth kësaj çështje janë pyetur në cilësinë e personit nën hetim Dritan Prifti dhe Leonard Beqiri, por të dy zyrtarët kanë mbajtur të njëjtin qëndrim duke pohuar se lekët ishin dhënë për punë personale dhe se edhe filmimi ishte kryer në ambiente private, tek banesa e ish-deputetit të LSI-së Dritan Prifti.

Balancimi “Meta-Prifti”

Teksa, ish-zv/kryeministri njëherësh ish-ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, ishte vënë me “shpatulla pas muri” nga ortaku i ngushtë i tij Dritan Prifti, nga i cili pësoi një goditje “nokauti”, Prokuroria nxjerr në dritë një video të dytë, ku Prifti shfaqet së bashku me Beqirin duke ndarë 70 mijë euro. Dalja në skenë e videos së dytë, duket se balancoi pozicionet e dy drejtuesve kryesorë të LSI dhe se që prej kësaj kohe Meta-Prifti vazhdojnë betejën juridike, por dhe politike. Në mes qëndron prokuroria, e cila guxoi të marrë të pandehur zv/kryeministrin Ilir Meta dhe se aktualisht vazhdon hetimet dhe për dy zyrtarët e tjerë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›