E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja Meta- Prifti hidhet sot shorti për trupën gjyqësore

TIRANË- Gjykata e Lartë ka hedhur sot shortin që ka përcaktuar trupën gjyqësore që do të shqyrtojë dosjen penale në ngarkim të ish-zv/kryeministrit Ilir Meta të akuzuar tashmë për korrupsion. Sipas një njoftimi për mediat pas hedhjes së shortit me gogla është përcaktuar se trupa gjyqësore do të përbëhet nga Ardian Dvorani relator si dhe anëtarët Besnik Imeraj, Arjana Fullani,Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj.

Prokuroria e Përgjithshme përfundoi hetimet dhe dorëzoi dje për gjykim dosjen penale ndaj Metës, ndaj të cilit është ngritur akuza e "korrupsionit aktiv". Plator Nesturi, këshilltar me median në Prokurorinë e Përgjithshme, tha se hetimet kanë përfunduar dhe dosja i është kaluar Gjykatës së Lartë. Ai konfirmoi faktin se ndaj Ilir Metës është ngritur akuza e korrupsionit. Ndërkohë që hezitoi të fliste për detaje të tjera lidhur me dosjen penale, brenda së cilës ndodhen faktet që ngarkojnë me përgjegjësi kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Avokati i Metës, Petrit Serani ka deklaruar se kundërshton akuzat e Prokurorisë sepse janë të pabazuara, pasi veç të tjerash, për mbrojtjen video-përgjimi nuk është i vlefshëm pasi është marrë në kundërshtim me ligjin. Por në fakt, pavarësisht pretendimeve për një montazh të bisedës së përgjuar, ekspertët amerikanë vërtetuan se videoja ishte origjinale.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›