E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në shtëpi, shpëtohen dy të sëmurë mendorë

Një zjarr i rënë mesditën e djeshme në një banesë ku jetojnë dy të sëmurë mendorë, për pak është shndërruar në një tragjedi. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikëses ka mundësuar fikjen e zjarrit, duke shmangur shpërthimin e një bombole gazi që ndodhej në banesë. Banorët e lagjes "30-Vjetori" të qytetit të Beratit kanë vënë re se rreth orës 13.00 të mesditës së djeshme, në katin e tretë të një pallati dilte tym dhe flakë. Të parët që janë vënë në alarm kanë qenë tregtarët e tregut industrial, që kryejnë çdo ditë aktivitetin e tyre poshtë pallatit ku u shfaqën flakët e zjarrit, ndërsa më pas janë alarmuar edhe vetë banorët e pallatit. Informacioni për zjarrin ka mbërritur pranë repartit të zjarrfikëses që ndodhet vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes. Mjeti i zjarrfikëses mbërriti menjëherë në banesën e shtetases Ronjëza Veleshnja. Nga konstatimet e para në vendin e ngjarjes është mësuar se zjarri kishte përfshirë pajisjet në dhomën e gatimit, ndërkohë që shkak i rënies së zjarrit ka qenë një tenxhere, e cila ishte harruar mbi një sobë gatimi me gaz. Flakët e zjarrit mësohet të kenë përfshirë orenditë e dhomës së gatimit dhe si rezultat ato janë përhapur me shpejtësi në të gjithë ambientin e shtëpisë. Mbërritja në kohë e mjeteve zjarrfikëse ka mundësuar fillimisht largimin nga banesa e dy të sëmurëve mendorë dhe më pas fikjen e zjarrit, ku fatmirësisht bombola e gazit që kishte vënë në punë sobën e gatimit nuk ka arritur të shpërthejë. Në momentin e rënies së zjarrit mësohet se kryefamiljarja nuk ndodhej në banesë dhe dy fëmijët e saj të rritur, që vuajnë nga sëmundje mendore, mendohet se janë bërë shkak për harresën e enës së gatimit mbi sobën e gazit. Sipas të dhënave nga reparti i zjarrfikëses, në momentin që janë shfaqur shenjat e para të zjarrit dy të sëmurët ndodheshin në një nga dhomat e tjera të banesës. Sipas ekspertëve, dëmi i shkaktuar në banesë kap shifrën e 150 mijë lekëve, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›