E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet transformatori dhe kablli elektrik fshati Spiten 2 jave pa uje

Vjedhja e transformatorit dhe kabllit elektrik që furnizonte me energji stacionin e pompave të fshatit Spiten në komunën e Zejmenit ka lënë prej 2 javësh pa ujë të gjithë zonën. Mbi 200 familje të fshatit prej dy javësh mundohen të sigurojnë ujin në burimet larg shtëpive të tyre.

Të gjendur përballë kësaj situate banorët e Spitenit kërkojnë vënien përpara drejtësisë të shkaktarëve të gjendjes në të cilën ndodhen.

"Ka dy javë që fshati Spiten nuk ka ujë dhe mbushim me bidona nërpër burime me bota me makinat e veta private"-shprehet një banor.

"Këta po vjedhin. Po bëhen me organizim sepse nuk ka mundësi ta vjedhim transformatorin as unë as tjetri, por bëhen me komandë nga Lezha"- thotë një tjetër banor i zonës.

Përgjegjësi i Shërbimëve Publike dhe Ujësjellësave pranë Komunës së Zejmenit premton kthimin e shpejtë të furnizimit me ujë të pijshëm.

"Ne kemi blerë transformatorin, kemi blerë të gjitha paisjet për të montuar panelin dhe pjeset e dëmtuara. Për dy ditë populli do ketë ujë"-shprehet Edmond Mhilli, Përgjegjës i Shërbimeve, Zejmen.

Kjo nuk është hera e parë që transformatorët dhe kabinat elektrike në qarkun e lezhës dëmtohen duke lënë pa energji dhe pa ujë të pijshëm për ditë me rradhë qindra banorë të zonave rurale.

Lindita Kokaj                           

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›