Vijon dita e 18-të e grevës, sërish protesta të familjarëve

Familjarë të minatorëve të Bulqizës kanë vijuar edhe sot protestat në mbështetje të 13 minatorëve të cilët ndodhen prej 18-të ditësh në grevë urie në nivelin e 14-të të minierës.
Ata janë mbledhur para bashkisë së Bulqizës për të vazhduar më tej në Qafë Buall ku kanë paralajmëruar se do të bllokojnë rrugën nacionale Tiranë- Bulqizë.
Mësohet se në dalje të Bulqizës është vendosur një kordon me forca speciale të policisë që nuk lejon bllokimin e rrugës.
E djeshmja ka qenë një ditë e tensionuar për Bulqizën, pasi disa qindra qytetarë bllokuan për rreth dy orë aksin kombëtar Tiranë-Bulqizë, pikërisht në Qafën e Buallit, ku pati edhe përpasje mes protestueve dhe policisë teksa këta të fundit ndërhynë të zhbllokojnë rrugën.
Ndërkohë ditën e djeshme minatorët grevistë kanë refuzuar propozimin e kompanisë “ACR” që takimi të zhvillohet në qytetin e Peshkopisë por kanë kërkuar që takimi të zhvillohet në Bulqizë.
Ndërkohë në ditën e 18-të të grevës së urisë gjendja e 13 minatorëve paraqitet mjaft e rëndë. Ata shprehen të vendosur për ta vijuar grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ata kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.