Operacioni Podgorica, kapet banda shqiptare
Itali
Dy vëllezër shqiptarë drejtonin grupin. 18 milionë USD u investuan në Shqipëri
Policia italiane ka shkatërruar një rrjet kriminal, i cili merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Në krye të grupit qëndronin dy vëllezër shqiptarë, ndërsa dyshohet se paratë e fituara investoheshin në vendin tonë. Nga operacioni i koduar “Podgorica” janë arrestuar 32 persona të organizatës kriminale të përbërë kryesisht nga qytetarë shqiptarë, që në Itali kanë importuar më shumë se 100 kg kokainë. Ekzekutimi i urdhrave është bërë në shtetet e Spanjës, Holandës, Francës, Belgjikës, por edhe në disa rajone italiane. Sipas mediave lokale, janë arrestuar 21 shqiptarë, 3 serbë, 1 maqedonas, 1 grek, 1 holandez, 1 spanjoll, 1 francez, 1 zviceran dhe 2 italianë. Krahas personave të arrestuar, policia e Firencës në Itali ka lëshuar edhe disa urdhra arresti në disa vende europiane. Sipas mediave italiane, rrjeti funksiononte më së miri, falë edhe kryesimit nga dy vëllezërit, të cilët e kishin shtrirë organizatën në dhjetëra vende europiane. Trafikantët janë “spiunuar” nga bisedat telefonike që kanë realizuar midis tyre të kapura nga autoritetet e drejtësisë italiane. Grupit i është kapur 101,514 kg kokainë, 0.650 kg marijuanë, 6.400 euro dhe 23 makina. Vlera e drogës, nëse do të hidhej në treg do të ishte 18 milionë dollarë. Një pjesë e parave të ngritura janë dërguar për t’u pastruar në Shqipëri në blerjen e pronave dhe në veprimtari ekonomike.
#