E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima e Baldushkut dyshohet vrasja

TIRANE-Ngjarja e ndodhur orëve të vona të së hënës në Baldushk, ku në automjetin e tij u gjend i shkrumbuar një 31-vjeçar, kjo ka ngritur hije dyshimi për një vrasje të viktimës para se ai të digjej. Dyshimet kanë nisur nga pozicioni i viktimës në automjetin e shkrumbuar ndërkohë që ekspertët kanë nisur hetimin pikërisht duke ju referuar elementëve të rëndësishëm për zbulimin e ngjarjes. Policia në versionin e saj zyrtar për ngjarjen bën me dije se “në kilometrin e 4-t në Baldushk është konstatuar i djegur Edmond Dibra, 31 vjeç, i cili ndodhej në automjetin tip “Volksvagen” me TR 40 71 F. Ekspertët që kanë referuar për policinë detajet e mbledhura në vendin e ngjarjes kanë saktësuar se dyshimet e para lidhen me faktin se automjeti në qarkullim e sipër ka pësuar një defekt në kroskot dhe menjëherë ka shpërthyer një shkëndijë elektrike që ka bërë të mundur marrjen flakë të makinës”. Por automjeti i shkrumbuar është një golf i vjetër, nga i cili mund të dilet lehtësisht pa pësuar dëmtime, aq më tepër një djegie të shkallës së lartë, çka ka vështirësuar mjaft punën e ekspertizës mjeko-ligjore për trupin e 31-vjeçarit. Policia vijon me faktin se materialet për këtë akt i kaluan prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.
Dyshimi
Ekspertët e policisë janë nisur për në vendin e ngjarjes menjëherë pas marrjes së sinjalit se në bregun e lumit të Baldushkut, konkretisht nga ana tjetër e tij, po digjet tërësisht një automjet. Në momentin e mbërritjes atje të policisë është konstatuar se brenda makinës, thuajse të shuar në atë moment ishte edhe një person. Banorë të fshatit dhe familjarë të viktimës kanë njohur menjëherë “Golfin” e Edmondit dhe për pasojë edhe identifikimi i trupit të djegur tërësisht nuk ka qenë i vështirë për policinë. Nga të dhënat e grupit të hetimit që kanë shkuar në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se qëndrimi i viktimës në automjet të linte përshtypjen e mos pasjes së dëshirës për të dalë nga makina kur ka marrë flakë. Nisur nga ky fakt ekspertët kanë ngritur edhe dyshimet e mëdha, për një vrasje të mundshme ose 31-vjeçari mund të jetë goditur deri në atë masë sa është lënë pa ndenja në automjetin që më pas është djegur. Policia mohon të ketë vërejtur plagë plumbi apo të ndonjë goditjeje me sende të forta, edhe pse masa e djegies mësohet se ishte e shkallës së rëndë, çka ka qenë e pamundur për ta të verifikojë një gjë të tillë. Priten konkluzionet e ekspertëve të mjekësisë ligjore për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes së të riut. Nga të dhënat e policisë bëhet e ditur se Edmond Dibra ishte banor i zonës dhe se në fshat kishte një pikë bastesh. Policia përveç pistës së asfiksisë, mësohet se po heton edhe pistën e vrasjes. Për këtë shkak janë marrë dëshmi të shumta nga familjarë të të riut si dhe nga të njohur të tij.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›