E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vila 6”, Barroso i kthen përgjigje pronarit të truallit

Çështja e ambasadës së dhuruar e Kosovës, apo “Vilës 6”, në ish-Bllokun komunist, e mbetur pa zgjidhje për shkak të konfliktit të pronarëve të truallit me shtetin, kapërcen kufijtë e Shqipërisë. 

Ferdinand Dervishi

Konflikti që dalëngadalë, në mënyrën më të habitshme të mundshme rreshtoi në një anë, në atë të gabuarën, të paligjshmen, vetë shtetin dhe në anën tjetër pronarët e truallit, tashmë ka mbërritur në zyrat e Komisionit Evropian dhe për çudi ka gëzuar vëmendjen e duhur. Atë vëmendje që nuk e patën kurrë pronarët e truallit, të cilët janë duke pretenduar, duke provuar me dokumente, se shteti në këtë rast po funksionon si një autoritet që nuk dallohet nga dhunuesit apo falsifikuesit. Natyrisht që në kërkim të së drejtës së tyre, familjarët që tashmë kanë fituar pronësinë e truallit të së quajturës “Vila 6”, nuk mund të përballen me shtetin. Ai është më i fortë se ata. Por në kohën kur pothuaj asnjë nga strukturat më të larta përgjegjëse të shtetit shqiptar nuk bëhen të gjalla t’u kthejë përgjigje ankimimeve të tyre, një i huaj, një jo shqiptar, tregohet më korrekt. Dhe jo sepse ai gjendet jashtë nacionalizmit propagandistik. Ai quhet Jose Manuel Barroso dhe aktualisht është Presidenti i Komisionit Evropian.
Mesazhi dërguar Barrosos
Pronarët e truallit të “Vilës 6” ia kanë nisur mesazhin elektronik Presidentit Barroso më 24 prill. Në të shpjegohet në pak fjalë konflikti mes tyre dhe shtetit për “Vilën 6”, të njëjtën godinë që shteti shqiptar e caktoi dhe po e restauron si ambasadë të Republikës së Kosovës. Barroso njoftohet që në rreshtin e parë të letrës se në këtë rast bëhet fjalë për thyerje të ligjit nga ana e vetë shtetit. Më tej ai informohet se prona e trashëguar ka qenë shtetëzuar nga ish-regjimi komunist dhe se me shumë mund trualli është fituar sërish me vendimin nr: 137 të datës 02.07.2007 të Zyrës Rajonale të Kthimit të Pronave, Tiranë. Po në kohën kur ministri i Privatizimeve, Genc Ruli, nis procedurat për privatizimin e godinës, për të cilën sipas ligjit, pronarët e truallit kanë të drejtën e parablerjes, gjithçka shkatërrohet. Kryeministri Berisha të njëjtën ndërtesë i dhuron publikisht Qeverisë së Kosovës që të përdoret si ambasadë. “Kryeministri dhe çdokush tjetër nuk mund të dhurojë duke thyer rregullat dhe ligjet e aprovuara nga Parlamenti i të njëjtit vend, të cilit ata pretendojnë t’i shërbejnë”, e mbyllin mesazhin trashëgimtarët e truallit të “Vilës 6”.
Përgjigjja e Barrosos
Përgjigja e Presidentit të Komisionit Evropian ka mbërritur pas rreth një muaji, më 28 maj, por gjithsesi me përmbajtje të justifikuar, madje shumë të fortë. Ajo mban autorësinë e Dirk Lange, drejtorit të Përgjithshëm të KE-së që mbulon disa shtete të Ballkanit, filluar nga Shqipëria. “Presidenti Barroso më kërkoi mua që t’i përgjigjesha mesazhit tuaj”, shkruan Lange në fillim të shkrimit të vet. Më tej mesazhi është politikisht i fortë. Ja përkthimi: “Komisioni Evropian i jep rëndësi shumë të madhe fuqizimit të të drejtave të pronësisë në Shqipëri dhe aplikimit të drejtë të legjislacionit që ka lidhje me procesin e kthimit të pronave. Nevoja për progres në këtë çështje është theksuar në raportin e Progresit për Shqipërinë dhe në të Partneritetit Evropian, në vitin 2007, i cili detajon prioritetet që vendi pritet të përmbushë. Në kontaktet tona teknike dhe politike me autoritetet shqiptare ne kemi theksuar nevojën për të përshpejtuar kthimin e kompensimin e pronave dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”. Në të njëjtin mesazh, hartuesi i tij nuk vetëcensurohet të shtojë se të tilla çështje nuk do të mbeten pa ndikuar edhe në notat që Shqipërisë i vihen në monitorimin e progresit apo regresit në çështjen e pronave. Ja si vazhdon ai: “Raporti i Progresit të 2008, që do të publikohet në nëntor, do na sigurojë mundësinë për të përtërirë vlerësimin tonë mbi progresin në Shqipëri e përmbushjen e premtimeve në këtë fushë”.
Kështu, sipas këtij mesazhi, mbështetja në adresë të pronarëve të truallit të “Vilës 6” është e qartë, edhe pse në asnjë rast statusi nuk ua lejon funksionarëve të kësaj kategorie të kalojnë në prononcime për çështje të caktuara. Nga ana tjetër dhe mesazhi ndaj shtetit dhe sfidave të tij për të bërë mirë detyrat e shtëpisë, është shumë i fortë. 

Pronarët: Ja si po falsifikon shteti me anë të Avokaturës së tij

“Shteti po falsifikon çështjen tonë dhe për këtë po përdor Avokaturën e vet”, thotë juristi Ritvan Resuli, një nga bashkëpronarët e “Vilës 6”. Sipas Resulit, falsifikimet apo veprimet e ngjashme kanë nisur që pas deklarimit se “Vila 6” do të jetë ambasada e Kosovës. Kjo sepse Avokaturës së Shtetit i duhej të ishte në kohë me afatet ligjore të ankimimit. Sipas tij, afatet për ankimim të vendimit nr. 137, datë 02.07.2007 të Zyrës Rajonale të Kthimit të Pronave, Tiranë, sipas ligjit, skaduan një muaj më pas, më 2 gusht 2007. Por e vënë në punë në mbrojtje të paligjshmërisë, Avokatura e Shtetit pretendoi se nuk e kishte marrë kopjen e vendimit të datës 2 korrik 2007. “Por dokumenti, se Avokatura e Shtetit është lajmëruar në kohë, është publikuar edhe në gazetën tuaj, është bërë publik edhe në disa televizione. Më tej shohim se në datën 17 mars 2008 Avokatura e ankimon këtë vendim. Pra, shkelja e parë e ligjit dhe falsifikimi i parë është fshehja e dokumentit të vendimit të Zyrës Rajonale të Kthimit të Pronave, Tiranë, dërguar Avokaturës së Shtetit. Ndërsa hapi i dytë i falsifikimit është bërja e ankesës në një kohë që kanë kaluar të gjitha afatet”, shpjegon juristi Resuli. I njëjti sqaron se, edhe pas dërgimit të kërkesës ankimore, drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Kthimit të Pronave, i duhet të shprehet sipas ligjit brenda 30 ditësh. Por duke qenë se kërkesa e Avokaturës mban datën 17 mars 2008, edhe në këtë rast afatet ligjore kanë avulluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›