Villas-Boas nuk brengoset për yjet e vjetruara

Menaxheri i Chelseas, Andre Villas-Boas, nuk beson se mosha e disa futbollistëve të tij kryesorë do të paraqesë problem për ekipin në sezonin e ri. Villas-Boas, i cili erdhi në klub gjatë kësaj vere nga Porto, trashëgoi njërën prej skuadrave më të vjetra në moshë në Premierligë, përfshirë futbollistë kryesorë si John Terry, Frank Lampard, Nicklas Anelka dhe Didier Drogba.
Shpeshherë në të kaluarën Chelsea është kritikuar për refuzimin e besimit te të rinjtë, por Villas-Boas nuk është ende i gatshëm të rinovojë ekipin e tij me përvojë dhe pret që ata të dëshmojnë vlerat e tyre gjatë këtij sezoni.
“Këta futbollistë kanë shumë për të ofruar. Vetëm shikoni titujt që kanë fituar dhe sa të suksesshëm kanë qenë”, tha ai për The Sun. Megjithatë, strategu 33 vjeç – i cili është më i ri edhe se portieri rezervë Hilario – pranoi se intensiteti i futbollit anglez do të ketë ndikim te lojtarët, por shpreson të gjejë balancën e nevojshëm mes rinisë dhe përvojës.
“Chelsea është ekipi i dytë ose i tretë më i vjetër në Premierligë dhe më duhet të respektoj periudhat e rikuperimit të futbollistëve më të vjetër. Andaj më duhet të gjej balancën mes përvojës dhe rinisë dhe të mësoj se çfarë loje mund të luajmë”, përfundoi ai. Chelsea është aktualisht në turneun e tij në Azi.