E Shtunë, 31 Tetor 2026

Violetat e “Traviatës”

31/03/2011  Për herë të parë “Traviata” është vendosur në skenën shqiptare 50 vjet më parë, ndërsa Marie Kraja interpretonte të bukurën Violetë, viktimë të realitetit francez të shekullit XVIII. Më 1972, në një tjetër version, këtë herë jo në italisht, por shqip, historia u rrëfye sërish, për të vijuar më 1983 sërish nën interpretimin e Edit Mihalit. Do të duhej të vinte viti 2002 që “Traviata” të rivinte nën interpretimin e sopranos Mariana Leka…

“‘Traviata’ ishte një dështim mbrëmë. Ishte faji im, apo i këngëtarëve, koha do ta tregojë”. Kështu do të shkruante Xhuzepe Verdi në një letër, pas vënies për herë të parë në skenë të operës së kompozuar prej tij. Ishte 6 marsi i vitit 1853 kur në teatrin “La Fenice” të Venecias, opera u prezantua për të parën herë para publikut dhe nuk u prit aspak mirë. Opera u fishkëllye në fund, ndërsa sopranoja që interpretonte u konsiderua si shumë e madhe në moshë për të luajtur Violetën dhe nuk u pritën aspak mirë as interpretimet e tenorit dhe baritonit.

Megjithatë, koha do të dëshmonte se në fakt “Traviata” nuk ishte aspak një dështim.

Një nga veprat më të njohura të kompozitorit italian Xhuzepe Verdi, “La Traviata”, një opera me tri akte, me libret të Françesko Maria Piaves, i cili u mbështet në romanin e Aleksander Dumasë (i biri) vihet dhe rivihet me qindra herë në të gjithë skenat e botës.

Pas disa shfaqjeve para publikut shqiptar, ajo do të risillet sërish premierë këtë fillim prilli në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Këtë herë “Traviata”, e cila është programuar për datat 2,3, 4 dhe 6 prill vjen nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, skenografi të Taulant Pustinës dhe kostumografi të Hysen Devollit. Orkestra e TKOB-it do të drejtohet nga dirigjenti Peter Tiboris, ndërsa kori nga Dritan Lumshi. Në rolin e Violeta Valerisë do të interpretojnë sopranot Eva Golemi dhe Ramona Tullumani, e cila sapo i është shtuar listës së zërave femërorë në TKOB. Roli i Alfredos do të interpretohet nga tenori italian Fabio Andreotti, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe interpretues në skena të rëndësishme operistike në Itali, SHBA, Japoni, Argjentinë etj.

Regjisori Nikolin Gurakuqi vëren se këtë herë vepra vjen e ndryshuar thuajse 90 për qind në aspektin regjisorial, ndërsa e krahason me një tjetër vënie të saj në vitin 2002. “Është një nga veprat më të bukura të Verdit, që vjen edhe njëherë tek publiku shqiptar. E kam vënë këtë vepër në vitin 2002 dhe e risjell me ndryshime në masën 90 për qind në aspektin regjisorial. Violeta do të interpretohet nga emrat më të mirë të skenës operistike shqiptare, ndërsa roli i Alfredos i është besuar një tenori italian. Për disa net me radhë publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një nga historitë më bukura të Verdit, e cila do të ngjisë në skenë rreth 100 artistë”, thotë regjisori Nikolin Gurakuqi.

Historia e Violetës, me dashurinë e saj ndaj Alfredos dhe fatin e keq do të përcillet përmes interpretimit të disa prej artistëve aktivë të skenës sonë operistike.

Krahas dy sopranove Golemi dhe Tullumani dhe tenorit Armaldo Kllogjeri, do të interpretojnë edhe baritoni Ylber Gjini (në rolin e plakut Zhermon), apo artistët Flora-Sofika Kola, Lindita Kola, Anina- Enkelejda Zepishta, Alfredo-Fabio Andreotti, Zhermont-Ylber Gjini, Gastoni-Erlind Zeraliu, Denis Skura, Baroni-Sidrit Bejleri, Ogert Islami, Markezi-Edvin Kastrati, Doktori-Sokol Hidersha, Xhuzepe-Ardian Kamberi, shërbëtori i Florës-Fatmir Cara, komisionari- Pandush Koko.

Për herë të parë “Traviata” është vendosur në skenën shqiptare 50 vjet më parë, ndërsa Marie Kraja interpretonte të bukurën Violetë, viktimë të realitetit francez të shekullit XVIII. Më 1972, në një tjetër version, këtë herë jo në italisht, por shqip, historia u rrëfye sërish për të vijuar më 1983 sërish nën interpretimin e Edit Mihalit. Do të duhej të kalonin disa vite që “Traviata” të vinte sërish në skenën shqiptare, në tetorin e vitit 2002 nën regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe nën interpretimin e sopranos Mariana Leka.

Blerina Goce

Ein Brief...

E gjithë “Traviata” gjeniale e Verdit s’është veçse një vals i variuar i protagonistëve që kanë ëndërr vizionin metropolitan të “Qytetit dritë” të Parisit në natën e karnevalit të tyre të fundit. Një vals që fillon tek gota e shampanjës dhe tragjedizohet në fundin e pashmangshëm.

Kohëzgjatja e dramës së Violetës në opera është ende si në jetë: nga akti i tjetërsimit të qenies që lexohet herë pas here në vepër, në gjendjen shëndetësore dhe fizike të Violeta Vallery në çeljen e shfaqjes, në vijim të tre viteve të ndodhive më të vështira në jetën e kurtizanes që çojnë në fundin tragjik të saj dhe të ëndrrës së pastër për t’u ndarë nga “e kaluara që e mundon kaq tepër”, siç i thotë Zhermoni, në opera, drejt finales së jetës dhe operës: “Pushuan gjithë dhimbjet, tek unë po rilind jeta...”

Ky fill udhërrëfyes vërtit gjithçka… përvijimin e situatave, kompozimin e mjedisit, plasticitetin e atyre që janë pjesë e atmosferës së “festës” rinore të pafundme.

Sa herë që vjen në skenë kjo “flutur” rijeton gjallesën ditëpak vërtetë, por më intensive nga çdo herë në tjetrën drejt posteritetit tashmë të sigurt. Po të profetizojmë autorin për veprën mund të themi bindshëm se ajo do të jetë më rezistentja ndër simotrat e saj të suksesit të përhershëm.

Zhani Ciko

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›