Viroza gripale mban Berishën 4 ditë larg politikës
Stafi i Kryeministrit Berisha konfirmoi dje me anë të një deklarate për shtyp mospjesëmarrjen e shefit të qeverisë në aktivitetin publik këtë javë, si pasojë e një gjendjeje gripale. Zëdhënësja e Berishës, Erla Mëhilli, u detyrua ta bënte këtë sqarim publik pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, e cila ndonëse e njoftuar dy ditë më parë, u anulua për shkak të virozës së Kryeministrit. Në lidhje me këtë situatë, zëdhënësja e Kryeministrit deklaroi se gjendja e tij shëndetësore është drejt përmirësimit. “Mbledhja e qeverisë e parashikuar për sot, e mërkurë, 21 korrik 2010, u shty për një kohë tjetër, për shkak të një gjendje febrile gripale, me çrregullime dixhestive që ka prekur Kryeministrin Berisha dy ditët e fundit. Pritet që mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave të zhvillohet gjatë 2–3 ditëve në vijim”, njofton Mëhilli në njoftimin për shtyp. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se kjo simptomë virale, kreut të qeverisë iu shfaq menjëherë pas vizitës në Fushë-Arrëz që zhvilloi të dielën e shkuar në familjet e viktimave që humbën jetën në një aksident automobilistik. Po kështu mësohet se Kryeministri nuk do të marrë pjesë sot në punimet e Kuvendit, por do të ketë një fundjavë të ngjeshur pune, përgjatë së cilës pritet edhe një vizitë në Itali.
#