E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virtyti i drejtësisë

Në filozofinë politike antike drejtësia ishte virtyt, një nga virtytet etike fondamentale, do të thotë një shprehi apo një zakon për t‘i bërë disa veprime që gjykohen të kenë një vlerë pozitive dhe për t‘i shmangur disa veprime të tjera që gjykohen të kenë një vlerë negative. Vlerësimi i një veprimi si i virtytshëm, në veçanti si i drejtë, shpie domosdoshmërisht te kriteri në bazë të të cilit aksionet mund të dalloheshin si të drejta, ose jo të drejta.

Në mendimin modern, e mbi të gjitha atë bashkëkohor, me drejtësi kuptohet ai kriter vlerësimi, apo vlerë ideale, apo parim drejtues i veprimit që lejon të gjykohen veprimet njerëzore, ku i quajmë të drejta ato që korrespondojnë me të, të padrejta ato që nuk korrespondojnë. Sado pothuajse të pafundme që të jenë definicionet që janë dhënë për drejtësinë në rrjedhën e shekujve, rrethi i referimit i këtyre definicioneve është përherë veprimi shoqëror i njeriut, ose veprimi që njeriu bën në relacionet e tij me njerëzit e tjerë.

Problemi i drejtësisë është i lidhur ngushtë me problemin e konstituimit dhe ruajtjes së shoqërisë njerëzore: ku veprim i drejtë është ai që kontribuon në njëfarë mënyre për ta bërë të mundshme bashkëjetesën e njerëzve, i padrejtë ai që e pengon. Kuptohet se mënyrat e ndryshme të definimit të drejtësisë varen nga mënyrat e ndryshme të konceptimit të shoqërisë, nga qëllimet e ndryshme që i atribuohen, nga idealet e ndryshme shoqërore që dëshirohet të arrihen. Dy janë para se gjithash idealet që zënë ta formojnë, ndaras ose bashkërisht, nocionin drejtësi: ideali i rendit dhe ai i barazisë.

Ideja e rendit shoqëror është lindur që nga zanafilla e refleksionit mbi drejtësinë, në korrespondencë me idenë e rendit të universit; e herë pas here rendi i universit është ngjizur sipas shëmbëlltyrës së rendit shoqëror (natyra si tërësi entesh që i nënshtrohen vullnetit sovran të Zotit dhe Zotave), e rendi shoqëror është konsideruar si reflektim i rendit kozmik (ligjet që e rregullojnë shoqërinë njerëzore janë një pjesë e ligjeve juridike natyrore që e rregullojnë universin), duke i lënë vend herë një konceptimi etik e juridik të rendit natyror, e herë një konceptimi natyralistik të rendit juridik.

Çdo totalitet i rregullt ka nevojë për norma ose ligje, do të thotë për kanune që do ta përshkruanin ose determinonin rregullin e sjelljeve. Rendi dhe ligji janë dy nocione të lidhura ngushtë: rendi është i garantuar nga fakti se ligji, do të thotë rregulli i sjelljeve, është i respektuar. Ky respektim i ligjit, që siguron rendin, është ajo që quhet, në njërin nga kuptimet tradicionale, drejtësi. Në këtë kuptim, drejtësia konsiston në ruajtjen e rendit të konstituuar: ruajtje, tamam, që arrihet përmes respektimit të ligjeve konstituive të rendit.

Padrejtësi është thyerja e rendit, e kryer përmes shkeljes së ligjit: është çrregull ose kaos, në kundërvënie me rendin ose kozmosin; me fjalë më dramatike, është lufta në kundërvënie me paqen. E si shkelje e ligjit, si çrregull, kaos ose luftë, është prishja e çdo bashkëjetese të mundshme, është rrënimi i shoqërisë. Në këtë lidhje me idealin e rendit, nocioni i drejtësisë shkrihet në atë të legalitetit: konceptimi i drejtësisë si legalitet është njëri nga konceptimet që përsëriten në historinë e mendimit perëndimor.

Është ai konceptim, sipas së cilit quhet i drejtë veprimi konform ligjit, i padrejtë ai në kundërshtim me ligjin; e njeri i drejtë është ai që ka shprehinë t‘i respektojë ligjet, i padrejtë ai që ka shprehinë t‘i shkelë. Duke u nisur nga kjo mënyrë e kuptimit të drejtësisë, qëllimi dhe përmbajtja e ligjeve nuk hyjnë në çështje: garancia e rendit është e dhënë nga respektimi i ligjeve, cilado që të jenë ato. Ajo që garanton rendin është në të vërtetë korrespondenca e veprimit me ligjin, jo tipi i veprimit që ligji e përshkruan ose determinon. Bëhet fjalë për një konceptim krejtësisht formal të drejtësisë.

Ideja e barazisë integron atë të rendit për sa shpreh nevojën që për ta zbatuar drejtësinë lypset jo një rend çfarëdo, po një rend i bazuar mbi një parim të caktuar që është, tamam, ai i shpërndarjes së barabartë të ndereve dhe barrëve. Edhe shoqëria e mbajtur bashkë nga ligjet tiranike, pra në mënyrë ekskluzive me shpatë, është detyrimisht një shoqëri e rregullt, ama a është i mjaftueshëm ky rend për ta garantuar ruajtjen e shoqërisë? Ideali i barazisë është ai që vë në duart e drejtësisë, pranë shpatës, edhe peshoren.

Atëherë nuk mjafton të ketë ligje të respektuara, siç e kërkon konceptimi formal i drejtësisë (që ligjet të respektohen mund të mjaftojë edhe vetëm forca), por nevojitet, nga ana tjetër, që vetë ligjet të respektojnë disa kritere fondamentale në shpërndarjen e ndereve dhe barrëve, in primis kriteri i barazisë. Veçse edhe nocioni i barazisë është edhe ai gjenerik, për sa tregon vetëm një lidhje mes termash, por nuk jep indikacione të tjera për terma për t‘u vënë në lidhje. Qysh herët, Aristoteli kishte dalluar drejtësinë e ndërsjellë, që ka vend kryesisht në këmbimet ekonomike e që bazohet mbi kriterin e barazisë aritmetike dhe drejtësinë distributive, që ka vend kryesisht në raportet mes shtetit dhe qytetarëve, bazuar në kriterin e barazisë gjeometrike ose proporcionale.

Drejtësia distributive ka pasur në Antikitet dy formulime të njohura, që pastaj janë trashëguar, për më tepër, si definicione të drejtësisë së domosdoshme dhe dallohen vetëm për atë se njëra ka të bëjë me veprimin e drejtë të individit karshi komunitetit, tjetra me veprimin e drejtë të komunitetit karshi individit; formulimi platonik, sipas të cilit drejtësia konsiston në zbatimin e detyrës, atë që secilit i përket në rendin e shoqërisë (është suum agere i njohur); formulimi që quhet romak (gjendet te Ciceroni dhe tek Ulpiani), sipas të cilit drejtësia konsiston në dhënien secilit atë që i takon (është jo më pak i njohuri suum cuique tribuere). Por ky suum, që gjendet në të dy formulimet, si determinohet? Kriteri i suum-it, siç dihet, nuk është më i definueshëm me terma të barazisë, të proporcionit, prandaj lindin aq definicione të drejtësisë distributive sa ka kritere të përdorura, herë pas here, në shoqëri të ndryshme, në mënyrë ekskluzive apo, më shpesh, në mënyrë komplementare, për ta determinuar për çdo anëtar të shoqërisë cakun e asaj që është detyra apo e drejta e tij.

Kriteret historikisht relevante janë para se gjithash këto të katërta: kriteri i rangut, i meritës, i punës dhe i nevojës, sipas të cilëve quhet e drejtë, respektivisht, t‘i jepet secilit sipas pozicionit të tij në hierarkinë shoqërore, sipas kapaciteteve të tij, sipas aktivitetit të zhvilluar në prodhimin e të mirave dhe shërbimeve, sipas nevojave të tij shpirtërore e materiale. Sado që të katër kriteret zakonisht aplikohen në korrespondencë të situatave të ndryshme, secili nga ta udhëheq orientimin e një tipi të caktuar të shoqërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›