E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi A (H1N1)/ Shëndetësia Shqiptare e përgatitur për të përballuar situatën

Shqipëria pritet të regjistrojë raste të tjera të virusit A (H1N1), por strukturat shqiptare të shëndetësisë janë të përgatitura për të përballuar çdo situatë të mundshme të përhapjes së këtij virusi, deklaroi të enjtën Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, gjatë inspektimit në portin detar të Durrësit. Znj. Godo vlerësoi masat e marra në portin më të madh në vend, ku aktualisht lëvizin mesatarisht 3-5 mijë vetë në ditë". “Ajo qe shoh realisht konfirmon kuadrin e masave të marra në bashkëpunim me kompanitë e lundrimit dhe autoritetet portual", tha ajo, ndërsa shtoi se "të gjithë udhëtarët në tragete njoftohen gjatë udhëtimit për mundësinë e vizitave mjekësore nga mjeku i anijes në raste të shqetësimeve të ndryshme, kontrolle të cilat vazhdojnë nga personeli shëndetsor i portit edhe gjatë zbritjes së udhëtarëve”. Znj. Godo zhvilloi një vizitë edhe në spitalin rajonal të Durrësit, ku nënvizoi se “rritja e numrit të pushuesve dhe përqëndrimi i popullsisë në një territor të ngushtë kërkon rritjen e kërkesës për strukturat mjekësore të të gjitha niveleve". Ajo vizitoi mjediset e reja karantinore, të cilat së bashku me repartin infektiv të spitalit janë krejtësisht të izoluara nga mjediset e tjera. "Disa ditë më parë në këtë spital janë trajtuar 8 të sëmurë të dyshuar për gripin e derrit dhe katër prej tyre kanë dalë krejtësisht të shëruar. Katër të tjerë, kryesisht të moshave të reja dhe të mesme po trajtohen ende nga ana mjeksore, ndësa priten edhe rezultatet e analizave të kampionëve të marrë prej tyre". tha ministrja Godo. Ajo vlerësoi masat e marra nga personli i spitalit rajonal të Durrësit, i dyti për nga kapacitetet pas Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Deri tani në Shqipëri janë konfirmuar 4 raste të prekura me virusin A (H1N1).  Rasti i parë i prekur nga ky virus ishte një student nga Gjirokastra, i konfirmuar të hënën në mbrëmje nga Instituti i Shëndetit Publik. Analizat e kryera në Rumani treguan se i riu ishte prekur nga një formë e lehtë e virusit. Specialistët e shëndetit publik bëjnë apel për qytetarët që të mos shqetësohen, por dhe të mos neglizhojnë rekomandimet e mjekëve. Ata vënë theksin tek respektimi i rregullave të higjenës personale dhe në rast të shfaqjes së shenjave gripale, qytetarët duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›