E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vit i keq për Ferrarin

Nga Express më 25 qershor 2011 në ora 11:35

Fernando Alonso ka pranuar se skuadra e tij, Ferrari, është duke kaluar një vit shumë të keq duke pasur parasysh presionin për të arritur sukses. Spanjolli ka 92 pikë – gati katër fitore – prapa liderit të kampionatit Sebastian Vettel nga Red Bulli, pas shtatë garave, dhe ende nuk ka shënuar fitore.

“Kur jeni në Ferrari, ekziston presioni, ju duhet të fitoni çdo garë dhe çdo kampionat. Andaj, deri më tani, duket se ka qenë një vit shumë i keq sepse ne jemi Ferrari”, tha Alonso për BBC Sport.

Rezultati më i mirë deri më tani i Alonsos është pozita e dytë në Monaco, muajin e kaluar, por ai thotë se është inkurajuar nga përmirësimi i formës në periudhën e fundit pas fillimit dëshpërues të sezonit.

Dy herë kampioni i botës përfundoi garën në Monaco, prapa fituesit Vettel dhe u kualifikua i dyti – rezultati më i mirë i tij në nisje gjatë këtij viti – në Kanada në garën e fundit, para se të tërhiqet pas një incidenti me fituesin Jenson Button.

Ai shpreson në një tjetër vikend të fuqishëm në garën për Shpërblimin e Madh të Evropës në Valencia këtë fundjavë.

“Për momentin, është vështirë të fitojmë një garë. Por, kemi bërë përmirësime, andaj ndoshta këtu do të jemi sërish konkurrentë. Na nevojitet bolidi më i mirë, e më pas mund të fitojmë titullin”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›