E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2009, 100 milionë lekë shtesë për celularët e deputetëve

Viti 2009 do të ketë buxhetin më të madh të historisë dhe kjo do të ndihet edhe në xhepat e deputetëve. Ministria e Financave i ka aprovuar një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për një fond shtesë prej 100 milionë lekësh të vjetra, i cili do të përdoret për dietën e telefonit, karburantin, si dhe udhëtimet e deputetëve. Pavarësisht se gjatë këtij muaji tarifat e telefonisë celulare do të ulen me 20 për qind, por edhe çmimi i naftës ka filluar uljen, deputetët do të kenë një trajtim më të mirë. Nga ana tjetër, viti 2009 është edhe një vit zgjedhor dhe kjo rritje fondi për shpenzimet e deputetëve pritet të ndikojë për një fushatë edhe më të fuqishme. Çdo deputet përfiton një tarifë telefoni prej gati 20 mijë lekësh të reja në muaj, ndërkohë që kryetarët e komisioneve apo grupeve parlamentare kanë një tarifë telefoni prej 20 për qind më shumë. Në total, buxheti i Kuvendit të Shqipëri pritet të jetë rreth 14 milionë euro për të gjithë vitin 2009. Duke bërë një përpjesëtim, rreth 100 mijë euro në vit i kushton një taksapaguesi shqiptar mbajtja e një të zgjedhuri në Kuvend. Kjo shifër konsiderohet si normale, duke e krahasuar me vendet e BE-së apo rajonit. Ndërkohë, nga ana tjetër, disa deputetë me grada shkencore kanë kërkuar rritje të pagës së tyre. Iniciativa e tyre është miratuar në komisionet përkatëse dhe pritet që një gjë e tillë të kalojë në Kuvend. Rreth 40 deputetë në Kuvend kanë titullin doktor ose profesor, duke bërë të mundur një rritje shtesë në pagat e tyre. Iniciativa e deputetëve me grada shkencore për të rritur pagën e tyre ka pasur si motivim diferencimin nga deputetët e tjerë, si dhe stimulimin, sipas tyre, të figurave të njohura shoqërore për t’i hyrë politikës.

Shpenzimet e deputetëve

Deputetët trajtohen në bazë të ligjit “Për statusin e deputetit”. Ky ligj ka specifikuar se për çdo mungesë pa arsye në seancat plenare të Kuvendit, deputetit i ndalohet nga paga 4 mijë lekë. Mungesë pa arsye për efekt page quhen të gjitha mungesat, përjashtuar rastet kur me miratimin e kryetarit të Kuvendit, deputeti merr pjesë në veprimtari zyrtare, brenda ose jashtë vendit. Përveç pagës bazë, deputeti shpërblehet për pjesëmarrje në mbledhje të komisionit të përhershëm ku bën pjesë. Në këtë rast, masa e shpërblimit është 2 mijë lekë për çdo mbledhje. Masa e shpërblimit për kryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit është 2.500 lekë dhe për kryetarët e nënkomisioneve 2.200 lekë për mbledhje. Kryetari i grupit parlamentar merr 5-15 për qind mbi pagën e deputetit, në raport me numrin e anëtarëve të grupit. Ligji ka përcaktuar se deputetët përfitojnë dietë 12 ditë në muaj për ata që banojnë jashtë qytetit të Tiranës, 6 ditë në muaj deputetët që banojnë në qytetin e Tiranës dhe kanë zonën jashtë këtij qyteti, si dhe 6 ditë në muaj të gjithë deputetët e tjerë. Kuvendi merr përsipër pajisjen me makina të deputetëve dhe për lëvizjen e tyre ata marrin vlerën në lekë të karburantit. Çmimet e karburantit përcaktohen mbi bazën e çmimeve të raporteve zyrtare të INSTAT-it dhe mund të korrigjohen në çdo tre muaj. Deputetët marrin vlerën në lekë për shpenzimet e shërbimeve periodike dhe mirëmbajtjen e makinave të Kuvendit, të cilat i kanë në përdorim. Shpenzimet për mirëmbajtjen e makinave llogariten në bazë të metodikës së miratuar nga sekretari i Përgjithshëm, sipas tipit të automjetit, gjendjes teknike dhe distancës së zonës elektorale. Për deputetët që përdorin makinë private, kjo pagesë është e barabartë me mesataren e shpenzimeve të llogaritura për deputetët që përdorin makinat e Kuvendit. Këto fonde përdoren nga vetë deputetët, duke zbatuar të gjitha kërkesat teknike për shërbimet periodike dhe mirëmbajtjen. Kuvendi nuk përgjigjet për sigurimin e mjeteve private të deputetëve, si dhe nuk mbulon shpenzimet për dëmtimet që vijnë si pasojë e keqpërdorimit të makinës nga përdoruesi. Nga ana tjetër, Kuvendi mbulon edhe shpenzimet për strehimin e deputetëve në hotelin e caktuar për këtë qëllim ose paguan kundrejt një kontrate qiraje të rregullt, shpenzimet për strehimin e tyre në apartamente banimi private, me kusht që ky shpenzim të jetë jo më shumë se 45 mijë lekë në muaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›