E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 12 akuza për “policin”që mashtronte qytetarët

17/09/2009  Genci Qoli u grabiste lekët qytetarëve të ndryshëm duke i thënë se ishte polic

TIRANE- “Jam oficer policie duhet t’iu bëj një kontroll pasi dyshoj se keni kryer një vjedhje, apo paratë tuaja janë false për këtë duhet t’iu arrestoj”. Kjo ishte formula e mashtrimit që përdorte Genci Qoli, 36 vjeç, nga Laçi, ndaj qytetarëve të ndryshëm shumica e të cilëve, njerëz të pambrojtur, apo udhëtarë të ndryshëm nga rrethet që mbërrinin në Tiranë për të kryer halle apo probleme të ndryshme të tyre. Duke iu prezantuar si polic, ai iu bënte presion atyre duke i detyruar t’iu jepnin gjithçka që kishin me vete.. Kjo skemë ka funksionuar së paku më tepër se 5 muajsh nga i arrestuari që aktualisht është dërguar nga Prokuroria e Tiranës në gjykatë si i pandehur. Nga hetimet e kryera është mundësuar dokumentimi ligjor i 12 procedimeve penale të bashkuara në ngarkim të të pandehurit, ndaj të cilit të gjitha kallëzimet ishin kryer nga qytetarët e ndryshëm. I pandehuri Genci Qoli ka kryer mashtrimin e dhjetëra shtetasve të ndryshëm, të cilët sipas Prokurorisë i zgjidhte me kujdes, njerëz hallexhinj, që ndodheshin nëpër institucione të ndryshme për hallet e tyre, ose duke u nisur për në Greqi në stacionet e autobusëve e furgonëve. 36-vjeçari nga Laçi i prezantohej si punonjës policie në sektorë të ndryshëm të saj, duke “imituar” dhe mjetet policore. Pasi i kontrollonte iu merrte atyre shuma të konsiderueshme në lekë dhe euro, e njëkohësisht edhe sendet e tyre personale, e largohej menjëherë. Në të gjitha rastet e këtyre mashtrimeve ai përdorte të njëjtin mekanizëm e konkretisht; pasi prezantohej si punonjës policie i Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, herë si shef i krimit ekonomik e herë si specialist krimesh, duke mbajtur një radio policie në dorë. Ai studionte njerëz hallexhinj që vinin sidomos nga rrethet e largëta në Tiranë. Menjëherë pas prezantimit ai kontrollonte duke ju thënë se jeni njerëz që ndiqeni nga Policia e Shtetit. Iu merrte të gjitha paratë dhe sendet me vlerë që dispononin si celularë, varëse, ora flori e të tjera, e më pas i ulte në një lokal që nuk e përsëriste, dy herë rresht. Pasi i shoqëronte për një gjysmë ore, i dërgonte në një lokal tjetër, që në të gjitha rastet ishte i studiuar mirë prej tij, sepse kishte dy hyrje. Në lokalin me dy dyer, hyrje-dalje, i pandehuri porosiste “viktimave” të tij, se çfarë donin të pinin. Menjëherë pas këtyre fjalëve Genci Qoli dilte nga hyrja tjetër e lokalit, duke iu thënë qytetarëve të mashtruar, që të prisnin në lokal deri sa ai të shkonte në komisariatin më të afërt për të dorëzuar dokumentet dhe sendet personale të “sekuestruara”. Sapo dilte nga ambientet e lokalit ai zhdukej pa lënë asnjë gjurmë, duke marrë me vete paratë dhe sendet e ndryshme të qytetarëve. Lidhur me këtë problem në komisariatet e Tiranës janë depozituar 12 kallëzime penale, ku secili prej të dëmtuarve ka denoncuar grabitjen me anë të mashtrimit. Të ndodhur në këtë fluks të madh kallëzimesh si dhe duke qenë në dijeni se ato kryheshin nga një punonjës policie, veç Prokurorisë në hetime është përfshirë edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB-ja). Pas koordinimit me sukses të informacionit agjentët mundën të arrestojnë në flagrancë të pandehurin Genci Qoli, i cili në ato momente sapo kishte rekrutuar për qëllime përfitimi qytetarin me inicialet M. M. nga një fshat i Tiranës. Ndalimi i tij është kryer më 11 qershor 2009, në ambientet e spitalit shtetëror “Nënë Tereza” dhe më pas të gjitha veprimet hetimore në ngarkim të tij, janë kryer nga ekspertët e organit të akuzës kryeqytetase. Aktualisht çështja penale në ngarkim të Genci Qolit i ka kaluar gjykatës së Tiranës, për veprën penale të “Mashtrimit” më shumë se njëherë.

Prezantimi

Në të gjitha rastet e këtyre mashtrimeve ai përdorte të njëjtin mekanizëm e konkretisht, prezantohej si punonjës policie i Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, herë si shef i krimit ekonomik e herë si specialist krimesh, duke mbajtur një radio policie në dorë.

Rastet e faktuara nga Prokuroria e Tiranës

1. Datë 5 qershor 2009

Rr. Durrësit mashtroi shtetasin A. I

2. Datë 11 qershor 2009

QSUT mashtroi shtetasin M.M,

3. Datë 23 janar 2009

Tek Hotel “Diplomat” mashtroi shtetasin Xh. C

4. Datë 23 janar 2009

Tek rruga “Bardhyl” mashtroi shtetasin D.H

5. Datë 23 janar 2009

Në qendër mashtroi shtetasin K.B

6. Datë 28 janar 2009

Tek spitali nr.5 mashtroi shtetasin I.Sh

7. Datë 28 shkurt 2009

Tek rruga e Elbasanit mashtroi shtetasin N.D dhe E.P

8. Datë 5 mars 2009

Në qendër mashtroi shtetasin R.K

9. Datë 30 mars 2009

Tek rruga e Durrësit mashtroi shtetasin H.S

10. Datë 7 maj 2009

Në qendër mashtroi shtetasin V.S, A.GJ dhe M.C

11. Datë 11 maj 2009

Tek rr. Durrësit mashtroi shtetasin H.Xh

12. Datë 13 maj 2009

Tek rr. Durrësit mashtroi shtetasin H.T

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›