Viti magjik i Nadalit

Viti 2010 ishte me të vërtetë magjik për Rafael Nadalin, aktualisht numër një në tenisin botëror. Edhe pse pati një fillim zhgënjyes, tenisti spanjoll ishte në gjendje që të ringritej dhe ta rikthente dominimin në këtë sport.
Viti i tij nisi me humbjen në Doha, në turneun e parë të vitit 2010, kur spanjolli dorëzohej në finale ndaj rusit Davidenko.
Më pas turneu Australian Open, ku tenisti nga Mallorca ishte paraqitur me probleme fizike dhe ku ishte detyruar të tërhiqej. Pas shërimit të gjurit, spanjolli i radhiti sukseset njërin pas tjetrit.
“Fitorja në Roland Garros e ka ndryshuar sezonin tim, ishte momenti më i rëndësishëm i vitit. Aty e kam kuptuar se jam rikthyer. Pastaj e kam rikthyer sigurinë dhe qetësinë, pasi vija pas një periudhe të gjatë presioni ku më kërkonin që të luaja mirë, të fitoja, të fitoja dhe vetëm të fitoja tituj”, deklaroi ai.
“Kështu, ky rezultat më ka ndihmuar shumë për t’i varguar sukseset tjerë në pjesën e dytë të vitit”, shtoi 24-vjeçari, i cili ka fituar tre turne të mëdhenj të tenisit në vitin që po përfundon, një gjë që i ndodh shumë rrallë një tenisti.