E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Fekter: Shqipëria, përparim në plotësimin e kushteve

Austria vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim në  përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Deklarata është bërë nga ministrja e Brendshme e Austrisë pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi me  ministrin e Brendshëm shqiptar Lulzim Basha. Ky i fundit informoi homologen austriake mbi progresin e Shqipërisë në fushën e sigurisë së dokumentave si dhe instalimin dhe funksionimin në pikat e kalimit kufitar të një sistemi të unifikuar dhe të ndërlidhur me qendrat kombëtare dhe ndërkombëtare të analizës së informacionit kriminal.

”Shqipëria ka bërë shumë përparime në plotësimin e kushteve për heqjen e
vizave. Ekipet e ekspertëve janë të bindur dhe kanë vlerësuar suksesin e
vendit tuaj lidhur me sigurinë e dokumenteve, e konkretisht me procesin
e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike. Unë jam e bindur se
ky sukses i arritur do të vlerësohet dhe shqiptarët do të lëvizin shumë
shpejt pa viza” tha Fekter.

“Jam i bindur se puna që kemi bërë, e cila do të verifikohet nga
ekspertët në muajin shkurt, do të rezultojë në një vlerësim pozitiv nga
KE. Ajo që kam kërkuar në mënyrë të veçantë është që menjëherë pas
paraqitjes së opinionit pozitiv nga komisioni, Këshilli i Ministrave ta
shqyrtojë pa humbur kohë dhe Ministrja e Brendshme më siguroi për
mbështetjen e plotë të saj dhe Austrisë, mbështetje e cila ka qenë e
gjithanshme për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin
europian të vendit” tha Basha.

Ministrat Fekter dhe Basha diskutuan edhe për bashkëpunimin dypalësh në
luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër trafiqeve të
paligjshme, shkëmbimin e përvojave policore të të dy vendeve dhe
trajnimin policor, si dhe bashkëpunimin multilateral në kuadër të
Konventës për Bashkëpunim Policor në Europën Juglindore.

Në këtë takim u nënshkrua gjithashtu edhe një marrëveshje tjetër mes
Shqipërisë dhe Austrisë mbi ndihmën e ndërsjelltë në rast të
katastrofave dhe fatkeqësive të mëdha.

Azhornuar së fundi ( e premte , 29 janar 2010 )

< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›