Vizat? Plotësoni detyrat e shtëpisë
Raportuesja e PE-së për liberalizimin e vizave me Ballkanin Tanja Fajon argumenton në një intervistë për “Top Channel” qëndrimin e Brukselit përballë liberalizimit të vizave.
Misionet e ekspertëve të BE-së kanë përfunduar vëzhgimin në terren për përmbushjen e kritereve nga autoritetet shqiptare. Në ç’fazë ndodhet tani procesi i liberalizimit të vizave me Shqipërinë?
Tani po presim që komisioni të na japë vlerësimin e ekspertëve që vizituan së fundmi Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën dhe nëse ky qëndrim do të jetë pozitiv, atëherë ne shpresojmë që komisioni do të na paraqesë sa më shpejt të jetë e mundur një propozim ligjor për heqjen e vizave. Ju duhet ta dini se pas këtij momenti, në skenarin më të mirë, Parlamentit Europian i nevojiten të paktën 2 muaj që të përfundojë procedurën e tij. Pra nëse propozimi vjen në prill apo maj, do të marrë ca kohë deri në miratimin nga Parlamenti.
Si pritet të jetë vlerësimi i ekspertëve për Shqipërinë?
Sipas informacioneve që kam marrë nga Shqipëria dhe Brukseli, vlerësimi shpresohet të jetë pozitiv, por do të përfshijë përsëri shumë gjëra, për çështjet që mbeten për t’u bërë.
A mendoni se mesi i këtij viti mbetet ende datë në fuqi për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët e pajisur me pasaporta biometrike?
është shumë e vështirë ende që të përcaktohet koha. Nëse do të hyjë në fuqi apo jo liberalizimi i vizave për Shqipërinë në mes të këtij viti? Nëse propozimi i Komisionit vjen shpejt në kohë, ne mund ta përfundojmë punën tonë në korrik. Por, kjo varet vetëm nga Shqipëria. Ndaj është e rëndësishme që tani të shohim nëse Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe a janë bërë mirë këto detyra, që më pas ne të vijojmë me procesin. Unë shpresoj se ne nuk do ta vonojmë shumë.
Gjithsesi, pas procedurës së Parlamentit, kjo çështje mbetet subjekt për miratim edhe nga këshilli. A mendoni se zhvillimet e fundit, pas liberalizimit të vizave me Maqedoninë e Serbinë, do të ndikojnë në vendimin për heqjen e vizave ndaj Shqipërisë?
Rritja e numrit të azilkërkuesve së fundmi në Belgjikë, Zvicër apo Gjermani, shkaktoi disi frikë në union. është shumë e rëndësishme që t’u tregohet qytetarëve, veçanërisht tani në Shqipëri, se liberalizim vizash nuk do të thotë që tashmë mund të udhëtosh në Bashkimin Europian e të kërkosh punë, apo shtetësi, por është vetëm një udhëtim i lirë pa vizë për 90 ditë.
Në këtë moment, është përgjegjësia e qeverisë që t’ua shpjegojë siç duhet qytetarëve shqiptarë. Natyrisht që ato çfarë pamë javët e fundit shqetësuan Bashkimin Europian dhe mund të ndodhë që për shkak të këtyre shqetësimeve, vetë procesi të mund të shtyhet, të vonohet. Unë shpresoj që jo, sepse është edhe përgjegjësi e BE-së, por më shumë përgjegjësi për këtë kanë autoritetet shqiptare sikundër dhe ato të vendeve të tjera të Ballkanit. Duhet të tregohet se heqja e vizave nuk të jep të drejtën për azil politik apo ekonomik. Për më tepër, ne pamë se shumica e azilkërkuesve ishin shqiptarë e të gjithë ata do të kthehen mbrapsht ndërkohë që këto janë natyrisht kosto për vendet e tyre.
#