PAMECA III: Problemet që shqetësojnë më shumë policinë
Në takimin e katërt të Bordit të Palëve të Interesuara të projektit PAMECA III, është diskutuar mbi çështjet kryesore të policisë, duke i analizuar ato sipas të gjitha monitorimeve dhe këshillimeve të bëra për strukturat përkatëse. Në qendër të diskutimeve kanë qenë çështje si menaxhimi i Integruar i Kufijve, si nga Policia e Shtetit, Drejtoria e Doganave dhe institucione të tjera, hetimi i krimeve, trajnimi në të gjitha nivelet e policisë dhe menaxhimi i burimeve njerëzore. Shefi i Misionit PAMECA III, Cecil Craig, paraqiti në takim raportin mbi ecurinë dhe progresin e projektit gjatë periudhës 1 shtator 2009 - 28 shkurt 2010, ku veç çështjeve të lartpërmendura nuk la mënjanë as çështje si menaxhimi i financës, komponenti i standardeve profesionale, si dhe rendin publik e policimin në përgjithësi. Sa u përket standardeve profesionale, Craig tha se vazhdon programi i inspektimit të Policisë së Shtetit në të gjitha drejtoritë e qarqeve, ku janë përfshirë këshilltarët e projektit PAMECA. Në lidhje me këtë ai deklaroi se janë përgatitur politika dhe procedura antikorrupsion të standardeve etike, që janë miratuar edhe nga drejtori i përgjithshëm. Por, në lidhje me procedurat e disiplinës, ai u shpreh se kanë mbetur ende çështje të papërfunduara si standardi i hetimeve dhe koha për dorëzimin e dosjeve e përcaktuar me akt ligjor. Ndërsa për strukturat e rendit publik dhe policimit në komunitet, kreu i misionit PAMECA III u shpreh se janë zhvilluar seminare praktike me nënkomisarët në terren, si dhe po punohet për implementimin sa më të mirë të javës 40 orëshe në punë. Në këtë aspekt përmendi edhe një sërë çështjesh të tjera që i përkasin rendit dhe policimit. Ndërsa për menaxhimin e kufijve nuk la pa përmendur edhe analizat e mangësive dhe diskutoi mbi rregullimin e këtyre problemeve, ku përmendi faktin se janë kryer një sërë trajnimesh me efektivin policor. Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e doganave apo institucioneve të tjera me policinë kufitare. Ndërsa për hetimin e krimit, përfaqësuesit e PAMECA-s u ndaluan në një sërë aspektesh të rëndësishme. Një prej tyre ishte edhe caktimi i detyrave dhe koordinimi nëpërmjet analizës së krimit dhe informacionit kriminal, nëpërmjet sistemit të ri elektronik. Këtu u bënë analiza të veçanta për krimet e rënda, krimi financiar dhe pasuritë e paligjshme dhe hetimi për krimet e lehta. Në fund të takimit u bisedua edhe për trajnimet, ku një prej tyre ka nisur vetëm dy ditë më parë, si dhe për menaxhimin e burimeve njerëzore, duke nisur që nga shpërndarja e personelit, transferimet, ndryshimi i strukturës, çështjet gjinore dhe të diversitetit, si dhe për Sindikatën e Policisë dhe Kontratën Kolektive të Punës. Në përfundim u lanë detyra të tjera për policinë shqiptare, me asistencën e misionit PAMECA III.
#