E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat për Ballkanin, hapet drita jeshile për tre vende. Shqipëria në pritje

Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina duhet të përmbushin kriteret, që janë përcaktuar në udhërrëfyesin e shpërndarë

BRUKSEL - Parlamenti Evropian ka lënë në pritje Shqipërinë për miratimin e rezolutës për heqjen e vizave në hapësirën Shengen. Megjithëse Shqipëria dhe Bosnje - Hercegovina do të vazhdojnë të presin udhëzimet që vijnë nga Brukseli, për këto dy vende do të ketë një përshpejtim të procedurave. Por, kjo do të vijë në raport me progresin që do të bëjnë këto dy vende. Ndërsa për vendet e tjera të Ballkanit, si: Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, Parlamenti Evropian miratoi me shumicë votash amendamentet për liberalizimin e vizave me këto vende, si dhe deklaratën e përbashkët të Këshillit dhe Komisionit Evropian.

Kjo deklaratë e cila u prezantua nga raportuesja Tanja Fajon, shprehte mbështetjen për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit. Sipas deklaratës, heqja e vizave për tre vendet që përfitojnë nga ky proces hyn në fuqi më 19 dhjetor të këtij viti dhe jo më 1 janar të vitit 2010, siç ishte parashikuar. Pas votës së Parlamentit Evropian, për liberalizimin e vizave për tre shtete në Ballkanin Perëndimor, pritet që të vendosë përfundimisht Këshilli i ministrave të BE-së, që do të mblidhet me 30 nëntor dhe 1 dhjetor të këtij viti. Përsa i përket liberalizimit të vizave me Shqipërinë, kjo deklaratë nuk përcakton asnjë datë, megjithëse thuhet se Parlamenti dhe Këshilli Evropian do të shqyrtojnë çështjen e regjimit të vizave me vendin tonë dhe Bosnje- Hercegovinën.

Por për këtë, zyrtarët e lartë në Bruksel i kanë bërë thirrje këtyre dy vendeve që të përmbushin kriteret që janë përcaktuar në udhërrëfyesin që ka shpërndarë Komisioni Evropian. Lidhur me udhërrëfyesin reagoi edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, cila në një konferencë për shtyp tha se administrata shqiptare është gati që të plotësojë pyetësorin e lëshuar nga Komisioni Evropian. Ajo tha gjithashtu se ministria që ajo drejton, ka thjesht një ide, por jo një draft të plotë të tij. Bregu shtoi se pyetjet janë fokusuar më shumë në kriterin politik dhe atë ekonomik.

"Kemi një ide për pyetësorin, por jo një draft të plotë të tij, gjithsesi duke u bazuar në formatet e vendeve të tjera të rajonit, pyetjet fokusohen në kriterin politik dhe ekonomik, çka do të thotë se shumica e pyetjeve do të adresohen në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë. Institucionet që do të kenë ngarkesën më të madhe përsa i përket plotësimit të pyetjeve të kriterit politik, do të jenë Ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti, ndërsa përsa i përket kriterit ekonomik, Ministria e Ekonomisë dhe Financave", - tha dje Bregu.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›