Vizita e parë si President, Nishani në Kosovë më 30-31 gusht

2-ditëshi i fundit të muajit gusht do të shënojë dhe vizitën e parë të zotit. Bujar Nishanit si president i Republikës së Shqipërisë. Ashtu sic edhe kishte deklaruar më herët vizita e tij e parë do të realizohet në Republikën e Kosovës. Me ftesë të presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Kosovë në datat 30 dhe 31 gusht.
Lajmi është konfirmuar nga Presidenca e Kosovës dhe Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.Zyrtarë të kësaj të fundit thanë se ftesa e presidentes Jahjaga i është përcjellë presidentit Nishani dhe ndonëse përgjigjja nga presidenca shqiptare nuk është ende zyrtare, vizita do të realizohet.
Kjo do të jetë vizita e parë shtetërore e presidentit shqiptar jashtë shtetit. Zyra e presidentes Jahjaga tha se vizita do të jetë e karakterit shtetëror e me këtë rast presidentit Nishani do t`i bëhen të gjitha nderimet shtetërore duke filluar nga garda e nderit e FSK-së.
E teksa ende nuk bëhet e ditur axhenda e plotë mësohet se për ta nderuar edhe më shumë, përveç takimeve me zyrtarët e shtetit, protokolli i shtetit është në përgatitje të një ceremonie me karakter më popullor, e cila mendohet se me do të mbahet në qytetin e Prizrenit.