Vizita e zyrtarit të SHBA-së, masa të larta sigurie
Masa të larta sigurie kanë shoqëruar vizitën e zv/sekretarit amerikan të Mbrojtjes në qytetin bregdetar të Durrësit. Qentë antieksplozivë dhe forca të shumta policore dhe ato të shërbimeve të fshehta, kanë përgatitur rrugën nga do të kalonte numri 2 i Mbrojtjes amerikane, si dhe kanë kontrolluar me imtësi ambientet e vizituara prej tij në Durrës. Në këtë vizitë, Gordon England ka qenë i shoqëruar nga ministri ynë i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers. Masat kanë shkaktuar pakënaqësi te mjaft drejtues automjetesh, që si çdo herë kishin parkuar automjetet e tyre në sheshin përballë Bankës Amerikane të Shqipërisë, në hyrje të shëtitores bregdetare. Pa njoftuar askënd, karrotreci i komanduar nga drejtuesit e policisë së qarkullimit rrugor, ka bërë zhvendosjen e automjeteve. Sipas burimeve policore, vizita ka qenë e papritur për ta, prandaj dhe masat e marra kanë qenë të shpejta në kohë dhe kanë befasuar drejtuesit e automjeteve, të cilët nuk i kanë gjetur mjetet e tyre në vendin e parkimit. Ndërkohë, amfiteatri i lashtë i qytetit ka qenë ndalesa e parë e England. Dy qen të stërvitur për të nuhatur praninë e lëndëve eksplozive dhe forca të shumta i kanë kontrolluar të gjitha ambientet e amfiteatrit përpara se aty të mbërrinte zv/sekretari amerikan i Mbrojtjes. Masat kanë qenë shumë të larta dhe vizita ka kaloi e qetë, pa të papritura dhe gjatë ndalesave të tjera të England.