E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita ne Shkupin zyrtar Imami takon homologun Besimi

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami gjatë vizitës së tij në Maqedoni realizoi një takim me homologun e tij, Fatmir Besimi. Gjatë bashkëbisedimit u vu theksi në bashkëpunimin e dy vendeve në kuadër të projektit “Smart Defence” në drejtim të modernizimit të armatave të të dy vendeve. Dy ministrat kanë konstatuar se Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme në sferën e mbrojtjes. Ministri Besimi tha se me homologun e tij është folur për shfrytëzimin e kapaciteteve të Maqedonisë dhe anasjelltas, ndërsa në të ardhmen do të punohet në projekte të përbashkëta sic është smart defencë dhe projekte të tjera që mund të kontribuojnë për zhvillimin e fushës së mbrojtjes të të dyja vendeve. Ministri Besimi gjithashtu falënderoi homologun e tij shqiptar të Mbrojtjes në ndihmën që i ka dhënë Maqedonisë në edukimin e oficerëve nga Maqedonia të cilët tanimë janë në rradhët e ushtrisë së saj. Besimi ka kërkuar nga Imami që Shqipëria të vazhdojë edhe në të ardhmen ta reflektojë mbështetjen e vazhdueshme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, që do të ishte një investim për paqen dhe për sigurinë jo vetëm të vendit por edhe të të gjithë rajonit.
Nga ana e tij ministri Imami e ka quajtur Maqedoninë vend mik dhe partner. Sipas tij, rruga e vetme është integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian. Imami gjithashtu u shpreh se “duhet të punohet më shumë në drejtim të zhvillimit rajonal, bashkëpunimi qoftë ai dypalësh apo multilateral sipas ministrit Imami është i shkëlqyer, por ka ende për të eksploruar”. Por megjithatë ai theksoi se “i mbetet Maqedonisë dhe Greqisë ta zgjidhin problemin teknik dhe politik në mënyrë që Maqedonia të mund së shpejti të bëhet pjesë e NATO-s”.
Ministri shqiptar, Arben Imami është takuar edhe me zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi, kurse ka mbajtur një fjalim edhe para Komisionit për Mbrojtjen në Kuvendin e Maqedonisë.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›