E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të njihet At Zefi!

“At Zef Pllumi, mes shkrimit dhe historisë” ka mbledhur dje në njëvjetorin e largimit nga jeta studiues, historianë e klerikë, për të rivlerësuar veprën monumentale “Rrno për me tregue”. E vërteta, dëshmia historike e një regjimi që vrau e persekutoi, nuk duhet harruar - me këtë mesazh dje është propozuar që vepra e patër Pllumi të përfshihet në tekstet shkollore

Si të njihet At Zefi!

Suela Furriku

“At Zef Pllumi, mes shkrimit dhe historisë” është ndjerë dje gjatë një konference të mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar. Në kuadër të njëvjetorit të largimit nga jeta të At Zefit, studiues dhe albanologë shqiptarë e të huaj janë mbledhur për të vështruar historinë pas veprës së tij më të njohur, e cilësuar monumentale, “Rrno vetëm për me tregue”. Intelektualë e studiues kanë diskutuar më në detaje çfarë At Zef Pllumi ruante në mesazhin e veprës së tij, e cila përmbledh tre vëllimet e tij të para në një të vetme. Studiuesit dhe klerikët që referuan ishin Prof. dr. Sabri Hamiti, pedagog i Universiteti të Prishtinës, i cili mbajti kumtesën “Misionari i rebeluar”, At Gazmend Tinaj, përfaqësues i Provincës Françeskane shqiptare “Zonja Nunçiatë”, ku referenca e tij ishte aksiomë e moralit të patër Zefit: “Të humbësh për të fituar”, prof. Odile Daniel, përfaqësuese e INALCO-s dhe njëkohësisht edhe përkthyesja e librit të At Zef Pllumit në frëngjisht, u ndal në referencën e saj mbi: “Vepra e At Zef Pllumit, mishërim i virtyteve shqiptare”. E pranishme në këtë konferencë ka qenë edhe përkthyesja e veprës së patër Zefit në gjuhën angleze, duke çuar përtej kontinentit tonë veprën e klerikut shqiptar bashkë me dëshmitë historike. Kate Schank ka përkthyer dy vëllime dhe është në përgatitje të vëllimit të tretë të autorit, “Rrno vetëm për me tregue”. “Rrno vetëm për me tregue”, vepra e françeskanit ka ftuar edhe Don Rosegon, i cili diskutoi më tepër rreth frymës së bashkëpunimit, mënyrës se si ai ishte njohur me At Zef Pllumin, duke kujtuar gjithë forcën me të cilën shprehej kleriku shqiptar, për ta lartësuar Shqipërinë e ta bënte më të njohur në sytë e të huajve. “Sot At Zef Pllumi është një dëshmi e gjallë për mua. Ai thoshte se Shqipëria dhe Kisha nuk kishin nevojë për të ngrënë apo për të veshur një rrobë të re, sepse jemi mësuar të vishemi me rroba prej leshi, por kemi nevojë për sa më shumë tru, kulturë dhe bursa studimi”, - u shpreh Don Rosegon gjatë konferencës së djeshme, duke shtuar se “At Zefin e kam njohur gjatë kohës kur ai donte të hapte radion e parë, si dhe numrin e parë të revistës “Hylli i Dritës” dhe në këtë rast ai kërkonte të përhapte jo vetëm fenë, por edhe kulturën”. Profecia e një ëndrre dhe zhgënjimi e trishtimi janë për Don Rosegon dy nga momentet që ai kishte pikasur tek shkrimtari At Zef Pllumi. Ndërkohë që për përfaqësuesin e Provincës Françeskane Shqiptare “Zonja Nunçiatë”, Gazmend Tinaj në referatin e tij me temë “Të humbësh për të fituar” thekson se për pesëdhjetë vjet, lufta u zhvillua e pamëshirshme ndërmjet djallit e Zotit, Krisht... “Nuk kje ajo lufta parabiblike ndërmjet Shën Mëhillit e Luçiferrit, por kje ajo e shekullit të njizetër, ndërmjet komunizmit ateist dhe klerit katolik shqiptar. Kje luftë e pabarabartë”. Ndërkohë, referenti dëshmoi edhe mbi fatin dhe pikëpamjet e françeskanëve të tjerë të mëdhenj si At Prenushi, Justin Rrota, P. Andon Arapi e të tjerë. Tregon se kalvari i vuajtjeve i përjetuar nga At Zefi nuk ishte thjesht një përjetim individual, por këtë kalvar e përjetoi edhe Kisha Katolike, duke e cilësuar atë si “Kopshti i Gjetsemanit”, një referencë e qartë kjo nga vepra e njohur e At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”.

“Detyra për të kallëzuar vitet e gjakut dhe tmerrit, të cilat i përballoi me një guxim të paepun”, ishte sipas njohëses dhe përkthyeses në frëngjisht të veprës së At Zef Pllumit, primare. Në fjalën e saj, ndërsa rrëfente mbi emocionet që përjetoi kur ra për herë të parë në kontakt me këtë libër, Prof. Daniel që kishte ardhur enkas nga Parisi, theksoi se libri i At Zef Pllumit nuk kufizohet vetëm në kallëzimin dhe dënimin e stalinizmit e krimeve të tij, por ky libër ngjall një interes të veçantë për njohjen e historisë së Shqipërisë e të kulturës së saj, veçanërisht në hapësirën frankofone. Zef Pllumi, - vijoi ajo më tej, - ka kryer një vepër rehabilitimi të historisë shqiptare. Ai ka çarë, grisur perden e mashtrimit të propagandës staliniste, duke treguar se në ç’mënyrë pushteti i asaj kohe kishte falsifikuar të shkuarën. Patër Gazmendi shton se nëse më parë At Zef Pllumi kishte tre vëllime të veçanta të botuara, tashmë të tre këto vepra janë të mbledhura në një botim të vetëm. Nga të pranishmit u pa se ky takim shërbeu thjesht për të rivlerësuar, sepse pavarësisht se At Zef Pllumi nuk jeton, vepra e tij është dëshmi e një histori plot vrull e gjak, që jo vetëm duhet referuar nga historia, por duke shërbyer edhe si dokument letrar - të gjitha në kontekstin e mesazhi i tij “Rrno për me tregue”. Gjatë seancës së parë rektori i Universitetit të Tiranës diskutoi se veprat e tij mund të jenë pjesë e një programi mësimor. Ndërsa Patër Tinaj i lë përgjegjësinë shtetit për të tilla figura, i cili thotë se “shteti duhet ta vlerësojë edhe më shumë dhe siç e tha edhe vetë rektori, ai duhet të hyjë në shkolla dhe të studiohet, sepse historia më parë jetohet dhe më pas shkruhet. Patër Zefi jetoi dhe më pas e shkroi. Kështu që në këtë mënyrë unë mendoj se historia e tij duhet të hyjë, sepse është e vërteta. Unë këtë mendim e kam përcjellë edhe para një viti, gjatë asaj kohe kur vdiq patër Zefi. Gjatë meshës kryesore e kemi theksuar këtë gjë, por këtë përmban edhe konferenca “At Zef Pllumi, mes shkrimit dhe historisë”.

Në seancën e dytë fjalën e mori ish-ambasadori gjerman i fundviteve ‘80 fillimviteve ‘90, Prof. Dr. Daum, i cili rrëfeu momente interesante mbi fatin e shqiptarëve në ato vite dhe rolin e të persekutuarve politikë në rrëzimin e komunizmit. Më pas një sërë kritikësh dhe studiuesish të njohur, si Prof. Dr. Ardian Marashi, Persida Asllani, Rudolf Marku, Prof. Lida Miraj, Mark Marku nga UT, theksuan vlerën e veprës dhe mesazheve që At Zef Pllumi la në aspektin e trashëgimisë kulturore, atë historik, letraro-artistik, etik, moral dhe ruajtjen e arkivimin e vlerave arkeologjike. Bashkëorganizatorët e kësaj konference ishin Provinca Françeskane Shqiptare “Zonja Nunçiatë”, Instituti “Alçide SDe Gasperi”, Universiteti i Tiranës, si dhe Qendra e Studimeve Albanologjike.

At Zef Pllumi u lind më 7 prill 1924 në katundin Mali i Rrencit, rrethi i Lezhës. Që në moshë të vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër. Ndoqi mësimet fillore e të mesme në Lyceun “Yllyricum” në vitin 1942. Për rrethanat e ashpërsimit të luftës, ndoqi mësimet e larta teologjike në Kuvendin Françeskan, në Shkodër. Në 1946 kur u mbyll ky Kuvend, bashkë me klerikë të tjerë e arrestuan më 14 dhjetor. U dënua nga një gjykatë ushtarake në fillim të vitit 1948 me tri vjet burg, të cilat i kaloi në Shkodër, në Beden të Kavajës e në Orman-Pojan të Maliqit. U lirua mbas tri vjetësh e u kthye në Kuvendin Françeskan, te Arra e Madhe në Shkodër. Në vitin 1958 u transferua ndër Malësitë e Dukagjinit, ku ndenji derisa u mbyllën kishat në pranverë 1967. Në fund të shtatorit e arrestuan përsëri dhe u dënua me 25 vjet, të cilat i kaloi në Spaç të Mirditës, në Krypore të Vlorës, në Ballsh të Fierit, në Zejmen të Lezhës e në Përparim të Sarandës. U lirua më 11 prill 1989 mbasi kaloi disa sëmundje. Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku mban meshën e parë të lirë. Përmes autobiografisë “Rrno vetëm për me tregue”, ai dha një leksion së pari njerëzor. Për këtë vepër në vitin 2006 u vlerësua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me çmimin “Penda e Artë”, pak pasi ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ta nderonte me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›