Vjedhin automjetin, pranga katër të rinjve nga Lazarati
GJIROKASTËR- Katër të rinj nga fshati Lazarat janë arrestuar, pasi akuzohen për vjedhjen e një automjeti. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut kanë bërë të ditur se Bako Buzheri, 24 vjeç, Tahir Brahimi, 23 vjeç, Ervin Bejko, 22 vjeç dhe Erjon Buci, 24 vjeç, të gjithë banues të fshatit Lazarat, janë arrestuar në flagrancë. "Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë orëve të para të mëngjesit (rreth orës 03:00 të mëngjesit), të datës 15 gusht 2009, në lagjen "Kodra e Shtufit" të qytetit Gjirokastër kanë vjedhur automjetin tip "Benz 200", me targa GJ 8426 A, në pronësi të shtetasit A.K, lindur dhe banues në lagjen "Kodra e Shtufit" të qytetit Gjirokastër", shprehen burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës. Po sipas tyre, pas marrjes së njoftimit, blutë e këtij qyteti që kryenin shërbim në aksin rrugor Gjirokastër - Kakavi, në vendin e quajtur Kordhoçë kanë bërë të mundur kapjen e shtetasve të lartpërmendur së bashku me automjetin e vjedhur, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Mbi katër të ndaluarit rëndon akuza e "vjedhjes së kryer në bashkëpunim".