Vjedhin fabrikën e tullave, më pas i vënë zjarrin
Lezhë- Kanë vjedhur me thyerje zyrat e financës së fabrikës së tullave në Lezhë, e më pas i kanë vënë flakën zyrave për të zhdukur gjurmët. Ngjarja ka ndodhur pak më parë në fabrikën e tullave në këtë qytet, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Sipas burimeve policore mësohet se nga arka janë zhdukur rreth 4 milionë lekë të reja. Grupi i ekspertëve që mbërriti në vendin e ngjarjes konstatoi se zjarri ishte i qëllimshëm, pasi u vunë re vjehdje në kasafortën e financës. Ky përfundim u mbështet edhe në dëshmitë e punonjësve të zyrës, për shumën e parave që kishte brenda.
Nuk dihet ende se si kanë mundur të depërtojnë autorët brenda ndërtesës, duke qenë se objekti ruhet me roje. Për momentin, policia njofton se nuk ka asnjë person të ndaluar, ndërkohë që nuk bëhet me dije nëse ka apo jo të shoqëruar.
Për shuarjen e zjarrit është ndërhyrë në kohë dhe nuk është lejuar që ai të përhapet për të vënë në rrezik godina të tjera.