Vjedhja e radhës e superhajdutit të mitur
Markelian Cungu është sërish autor i dyshuar i një vjedhjeje, por kësaj radhe jo në Tiranë, por në Golem të Kavajës. Burime policore thanë se specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar, filluan procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 13-vjecarit. Procedimi për të filloi, sepse ky i mitur dyshohet se në Golem Kavajë, ka vjedhur në ambientet e një kompleksi turistik shumën e parave prej 100 000 lekësh. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes”, ndërkohë që të gjitha procedimet në ngarkim të tij do të bashkëlidhen dhe do t’i dërgohen prokurorisë, për veprën penale të vjedhjes.
Kjo është vjedhja e radhës, pasi i mituri është shoqëruar rreth 560 herë në polici, ndërsa rastet për të cilat është akuzuar kanë qenë edhe më shumë. Markeljani është bërë mjaft i njohur në komisariate, pasi shoqërohej shpesh që prej moshës 8-vjeçare. Për shkak të moshës, ai nuk është mbajtur asnjëherë i arrestuar dhe duket se ka përfituar edhe nga mungesa e shkollave të riedukimit. Pavarësisht se qeveria shqiptare ka deklaruar disa herë për hapjen e këtyre shkollave, ende nuk është bërë asgjë. Ky është një nga rastet kur të miturit, më shpesh në kryeqytet, janë bërë një problem për rendin. Ata vazhdojnë të mbeten të lirë, por kjo liri ua ka rrezikuar në ndonjë rast edhe jetën, pasi kërkohen nga personat e dëmtuar që kanë ushtruar edhe dhunë mbi ta.