Zyrat e deputetëve, ngec projekti i Kuvendit
Ngec puna për ngritjen e zyrave të deputetëve në kryesinë e Kuvendit. Shtyrja e afateve për spostimin e Gjykatës Kushtetuese në një tjetër godinë ka bërë që çështja e ngritjes së zyrave për cilindo deputet në kryesinë e Kuvendit të mbetet një çështje e lënë pezull. Vetëm për blerjen e kompjuterëve të rinj në kryesinë e Kuvendit është shpenzuar 7.9 milionë lekë, ndërsa për pajisjen e çdo zyre me internet ishte parashikuar të shpenzohej shifra prej 3 milionë lekësh. Përveç zyrave të grupeve parlamentare dhe atyre të komisioneve ku deputetët diskutojnë gjerësisht bazën ligjore mbi të cilën funksionon shteti, tashmë do të ketë edhe zyra të tjera, ku një grup deputetësh do të kenë tavolinën, karrigen apo dhe kompjuterin personal për të kryer edhe më mirë detyrën dhe për të qëndruar gjatë kohës së lirë, kur nuk janë të angazhuar në komisione. Ky proces ka përfunduar në kryesinë e Kuvendit, nga ku kanë përfituar vetëm kryetarët e komisioneve parlamentare dhe krerët e grupeve kuvendore. Për deputetët e tjerë është një sallë e përbashkët për cilëndo forcë politike.
Kryetarët e komisioneve parlamentare kanë qenë të vetmit të privilegjuar deri tani që kanë pasur në dispozicion jo vetëm një tavolinë e kompjuter, por një zyrë të tërë. Ishin parashikuar të shtoheshin rreth 30 zyra të reja, por duket se Gjykata Kushtetuese e cila vazhdon të jetë në godinën e ish-komitetit qendror është kthyer në pengesë të kësaj nisme. Deputetët që tashmë kanë disa mandate në Kuvend dhe që deri tani kanë pasur mjaft vështirësi, qoftë edhe për të fotokopjuar apo shtypur një material në kompjuter, duket se tashmë do e kenë më të thjeshtë për të ushtruar aktivitetin e tyre në Kuvend. Vënia në dispozicion të tyre të një tavoline personale me kompjuter e internet dhe me mjetet e tjera të nevojshme edhe pse në prani të disa kolegëve të tij, do të lehtësojë kryerjen e detyrës.