Imami: PD smund të votojë gjyqtarë me të shkuar komuniste
Mazhoranca parlamentare nuk mund të votojë për anëtarë të gjykatave njerëz që kanë një të shkuar komuniste. Ky ishte qëndrimi që dha dje ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në lidhje me dekretet e rrëzuara të Presidentit Bamir Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. “Mazhoranca ka detyrimin që t'u bindet linjave të caktuara politike, për të cilat është votuar, apo angazhimit për të pastruar radhët e gjyqësorit nga njerëz me një të shkuar komuniste”, thekon Imami. Po kështu, ministri i Mbrojtjes deklaron se Kushtetuta thekson në mënyrë të qartë se Presidenti ka detyrimin të dekretojë emrat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, por në fund është Parlamenti organi që jep pëlqimin ose jo për këta emra. Nisur nga kjo logjikë, Imami thekson se është normale që përfaqësuesit e mazhorancës në Parlament të mos bien dakord me disa nga kandidaturat e paraqitura. Nga ana tjetër, duke folur për ndryshimet në ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror, ministri i Mbrojtjes theksoi se refuzimi i opozitës për miratimin e kësaj nisme nuk lidhet me arsyet që përfaqësuesit e saj kanë shprehur publikisht. Sipas Imamit, kundërshtitë e opozitës nuk erdhën për çështje të konsultave me NATO-n, por drafti i paraqitur nga PD-ja u kundërshtua për arsye politike. Në këtë linjë, Imami e paralelizon këtë situatë me atë kur mazhoranca e drejtuar nga demokratët kërkonte shkarkimin e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, Theodhori Sollaku. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Imami, flet edhe për situatën politike në vend dhe veçanërisht për dështimin e negociatave mes kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, dhe homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi. Sipas tij, dështimi i iniciativës për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet brenda sesionit të shkuar zgjedhor erdhi si pasojë e sjelljes së opozitës. “Zgjidhja e situatës u pengua prej opozitës, sepse mazhoranca ishte e gatshme për të ofruar zgjidhje”, konkludon ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Nga ana tjetër, deputeti demokrat i konsideron të pabaza edhe akuzat e opozitës për rënie ekonomike në vend. Sipas tij, opozita me qëndrimet e saj ndaj ekonomisë së vendit nuk arriti të bindte as vetë përfaqësuesit e biznesit. “Paralajmërimet e pabaza të opozitës se vendit i kanosej një krizë ekonomike dështuan dhe madje nuk gjetën as mbështetjen e vetë biznesit”, argumentoi Imami për këtë çështje.
#