Çelet fondi për orët shtesë të 9600 policëve
Pas më shumë se një viti është lëvruar fondi i orëve suplementare të 9600 punonjësve policie dhe pritet vetëm ndarja e parave të prapambetura. Fondi u është kaluar gjithë strukturave të policisë dhe mbetet vetëm ndarja e tyre në llogaritë personale të punonjësve të policisë, që prej kohësh presin të marrin paratë për orët e shërbimit që kanë kryer jashtë orarit zyrtar.
Punonjësit e policisë, por edhe sindikata, shpeshherë kanë ngritur zërin se këto para po u mohohen dhe përgjigjja ka qenë mungesa e fondeve. Në fund të vitit, ministri i Brendshëm premtoi se do të paguante të gjitha orët suplementare dhe duket se tashmë ka filluar shpërndarja e tyre. Burimet policore bënë të ditur se fondi u është shpërndarë gjithë strukturave sipas “borxheve” që u kanë punonjësve të policisë, që kanë punuar jashtë orarit për aktivitete të ndryshme, duke filluar që nga ndeshjet e futbollit, masat në sezonin turistik, apo masa të tjera, e deri te fushata elektorale gjatë vitit që kaloi. Sipas të dhënave, ky fond ende nuk është shpërndarë, pasi specialistët e personelit dhe financës do të nxjerrin gjithë të dhënat për të realizuar sa më mirë këtë shqetësim të mbartur prej kohësh. Ata do të kontrollojnë evidencat mujore, duke filluar që nga prezenca në punë, shërbimet në orët e natës dhe shërbimet jashtë orarit. Në përfundim të kalkulimeve, kur punonjësit e policisë kanë të tria këto evidenca, do të bëhet shpërndarja sipas vlerës që u takon.
Që prej muajit dhjetor, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u premtoi se gjatë vitit 2010 mund të marrin gjithë shtesat e pagës për orët suplementare, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2009 nuk kishin marrë asgjë. Nga fillimi i vitit 2009, punonjësit e policisë nuk përfitonin asgjë për punën suplementare, pavarësisht se atyre u numërohen rreth 480 orë pune më tepër për person sesa u takon me ligj. Sipas ligjit, ata duhet të punojnë vetëm 40 orë në javë ose në të kundërt të shpërblehen, por pavarësisht se kanë punuar më shumë, nuk u ishte dhënë asnjë shpërblim. Duke u nisur nga situata e rënduar, e krijuar gjatë vitit 2009, në fund të muajit dhjetor, pikërisht në një nga analizat e policisë, Basha u ka premtuar zyrtarisht se në vitin 2010 nuk do të kalojë pa u paguar sipas ligjit asnjë orë suplementare për punën që ata kryejnë për mbrojtjen e sigurisë publike.
Mospagesa e orëve suplementare binte ndesh jo vetëm me ligjin e policisë, por edhe me kontratën kolektive, si dhe Kodin e Punës. Pikërisht në kontratën kolektive, në nenin 5 të saj është përkufizuar koha normale e punës dhe shtesat mbi pagë për kohëzgjatjen e saj. Sipas këtij neni, në sistemin e punës së shërbimit policor, koha normale javore e punës është 40 orë. Orari i punës përcaktohet në përputhje me interesat e palëve, përjashtuar rastet e përcaktuara me ligj dhe specifikat konkrete të vendit të punës. Gjithashtu, në nenin 5 deklarohet se punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve sipas përcaktimeve të Kodit të Punës. Në nenin 90 të Kodit të Punës deklarohet se për punë suplementare, si dhe kur kërkohet për emergjenca të ndryshme për situata jo të zakonshme, sasia e orëve nuk mund të jetë më shumë se 10 orë në javë”. Ndërsa në nenin 91, shtohet se orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë, 25% më shumë se orët normale. “Orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor ose të ditëve të festave zyrtare kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50% më të madhe se orët suplementare të bëra ose paga normale. Kompensimi duhet të jepet jo më vonë se periudha 2 muaj nga dita e kryerjes së punës ose shërbimit”, deklarohet në Kodin e Punës.
#