E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Pastrim burgjeve nga celularët

Urdhri

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, urdhëron pastrimin e të gjithë burgjeve të vendit nga celularët. Nëpërmjet një qarkoreje të brendshme, e cila është bërë pjesë e planit të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ministri i Drejtësisë kërkon nga sistemi penitenciar që deri në muajin qershor qelitë të pastrohen përfundimisht dhe asnjë të dënuari, në asnjë burg, të mos t’i lihet telefon.
Duke lënë qershorin si afatin e fundit, Nishani kërkon në këtë urdhër të kontrollohen rigorozisht burgjet, në të kundërt, sipas tij, nëse më pas gjenden celularë, do ketë direkt penalizim të drejtorëve të burgjeve. Sipas “Top Channel”, kontrollet e rrepta kanë nisur fillimisht në qelitë e Lezhës, ku disa të dënuar sipas Avokatit të Popullit kanë paraqitur ankesa për ushtrim dhune gjatë kalimit në “sitë” të qelive ku ata mbahen.

Sipas Avokatit të Popullit, në fillim të javës së ardhshme do të ketë një rekomandim për dhunimin e katër të dënuarve në këtë burg. Por nga ana e saj, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar një plan masash që ua ka përcjellë që në fillim të vitit të gjitha burgjeve. Sipas këtyre masave, nëse do gjenden celularë në qeli, atëherë do të penalizohen direk me masa administrative policët që shërbejnë në sektorët përkatës. çështja e mbajtjes së celularëve nëpër qeli u tentua të zgjidhej pak vite më parë, kur në qelitë e 313-s u eksperimentua instalimi i një aparature që bllokonte valët e celularit në paraburgim. Por pa kaluar shumë kohë, banorët e zonës përreth, si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës, u ankuan se ishin prekur edhe ata nga këto masa, çka solli edhe dështimin e këtij projekti.

Gjatë kontrolleve të shpeshta, policia e burgjeve ka zbuluar dhjetëra mënyra se si arrinin të depërtonin celularët në qeli, mes të cilave fshehje në frigoriferë, në pult televizori, por edhe në ushqime. Pasi celularët futen në burg, të dënuarit arrijnë t’i fshehin aparatet duke gjetur mënyra nga më të çuditshmet, që nga mbajtja e tyre në këpucë e deri në enë me fund të dyfishtë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›