Dëshmitari rrëfen vrasjen e vëllait të Aldo Bares
Një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të prokurorisë kundër bandës së Lushnjës tregoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda vrasjen e Ramadan Shkurtit, vëllai të Alfred Shkurtit (alias Aldo Bare). Gramoz Selmani, i përndjekur për disa vite nga banda, duke i shpëtuar në disa raste ekzekutimit, ka rrëfyer se Aldo Bare ka vrarë disa persona personalisht, ndërsa si bashkëpunëtorë të tij ai ka radhitur të gjithë anëtarët e bandës famëkeqe. Selmani tregoi se në fillim të vitit 1997, Alfred Shkurti dhe i vëllai, Ramadani, kishin tentuar të vrisnin Tur Dajën, por nga shkëmbimi i zjarrit vdiq Genci Kashari dhe Ramadan Shkurti. Ndërkohë, pas kësaj ngjarjeje, të gjithë personat që ndodheshin në lokal me Tur Dajën gjatë ekzekutimit të Ramadanit janë përndjekur nga banda. “Në një rast, po udhëtoja me makinë dhe banda na zuri pritë. Makina ra në kanal dhe drejt saj u vërsulën Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu. Së bashku me mua ishin edhe Masar Aliu dhe Nimet Zeneli. Këta të dy u larguan drejt disa fushave, ndërsa unë u futa poshtë makinës”, tregoi Gramozi, duke deklaruar dje në sallën e gjyqit se në vendngjarje ka parë edhe Aldo Baren.
Vrasja e Ramadan ShkurtitProkuroria e Krimeve të Rënda e cilëson dëshminë e Gramoz Selmanit shumë të rëndësishme. Ai është pyetur nga dy përfaqësuesit e akuzës, Gentian Trenova dhe Besnik Muçi. Fillimisht Selmani është pyetur për vendlindjen dhe vendbanimin, ndërsa ai u përgjigj se ka lindur në Lushnjë dhe pas trazirave të vitit 1997 ka emigruar në shtetin grek, ku dhe banon. Më pas pyetjet kanë qenë të drejtpërdrejta. Ndërsa prokurorët i kanë kujtuar emrin e Genci Kasharit, dëshmitari tha se e njeh dhe se është vrarë në një tavolinë ku dhe ishte ulur. “Në lokalin e Xhevat Dajës, në një tavolinë ishin ulur Artur Daja, Lorenc Daja dhe Genci Kashari. Po hanin drekë. Duke kaluar, më thirri Turi: ‘Mozi, hajde pi një birrë’. U ula dhe pak momente më vonë pashë që po vinte një makinë e zezë, tip ‘Audi’ dhe menjëherë qëlloi me breshëri në drejtimin tonë. U futa poshtë tavolinës. Genci më ra në shpatull i vrarë. ‘Audi’ teksa po largohej u përplas me një saurelë. Turi doli duke gjuajtur me automatik. Unë pashë dy veta që po iknin më vrap. Ishte Fred Shkurti dhe një person tjetër. Fredi atë personin e mbante për krahu dhe qëllonte në drejtimin tonë me automatik”, tregoi Selmani. Më tej vazhdoi se “Turi vajti te makina, hyri brenda dhe i mori një pistoletë nga dora të plagosurit, duke e qëlluar atë dhe shoferin. I qëlloi në kokë. E pyeta Turin kush ishte, më tha ‘ishte Ramadan Shkurti’”.
Vrasja e Nimet ZenelitKrahas dëshmisë për vrasjen e Ramadan Shkurtit, prokuroria e ka pyetur Gramoz Selmanin edhe për vrasjen e Nimet Zenelit. Në të dyja rastet, Selmani ka qenë dëshmitar. Ai tha se Nimet Zenelin e njeh si lushnjar. “Ka qenë dimër. Ngjarja ndodhi në Kolonjë të Lushnjës. Unë, së bashku me Masar Aliun, mik i imi dhe Nimet Zenelin, vajtëm në Bubullimë, që të merrnim gështenja. Ishim me një fuoristradë të bardhë. Po ktheheshim, kur në kthesë të Bubullimës pashë dy veta, Arben Boriçin dhe Ilir Stërgun. Ishin në dyqan dhe dolën në rrugë. Ishin të pajisur me armë. Gjuajtën tek e tek. I thashë shoferit shpejt se do na vrasin. Masari u hutua dhe makina ra në kanal. Masari dhe Nimeti ikën me vrap drejt fushës. Unë hyra poshtë makinës. Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu po i ndiqnin me vrap. Unë u largova. Kur, mbrapa dyqanit ishte Fred Shkurti dhe Enver Dondollaku. Gjuajtën me breshëri, por unë hyra në një shtëpi aty pranë. Dolën banorët dhe më pyetën ç’kisha. U thashë që donin të më vrisnin. Nimeti ra në kanal, ku dhe është vrarë. Masarin e takova në shtëpi. Më tha: ‘Ik se do të vrasin’” tregoi dëshmitari. Prokuroria e pyeti se cila ishte arsyeja që banda donte ta vriste, ndërsa mori si përgjigje se ishte mik me Tur Dajën. “Përse donin të më vrisnin? Isha mik me Tur Dajën. Më dogjën shtëpinë, më vranë vëllain, mi dogjën të tëra. Vëllain e madh ma morën peng”, përfundoi dëshminë Gramoz Selmani.
#