E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen ndëshkimi i Fontanës

13/05/2005  Nuk vonon edhe përgjigjja e trajnerit të Interit, Roberto Mançini, ndaj deklaratave të Alberto Fontanës. Gjatë stërvitjes së djeshme, portieri është bërë gati për t’u stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, por sapo ka arritur në “Apiano”, Mançini e ka larguar menjëherë nga fusha. Kjo gjë ishte gati e sigurt, duke parë deklaratat e ashpra të Fontanës. “Nuk ka guximin për t’i thënë gjërat në fytyrë, edhe pse paguhet për këtë gjë”- ka deklaruar ndër të tjera portieri. “Është një fëmijë i llastuar, që ka frikë nga hija e vet dhe që i nevojitet mbështetja e të tjerëve”. Ndërkohë, edhe klubi ka bërë të ditur një komunikatë zyrtare në adresën e klubit në internet. “F.C Internacionale”, bën të ditur se pas deklaratave të paautorizuara, Alberto Fontano, do të ketë masa disiplinore”. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, portieri ka qenë në një mbledhje me Brankan dhe Faketin, që i kanë kërkuar shpjegime, në lidhje me ato që ka deklaruar. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, ai është është rikthyer në stërvitje, ku Mançini e ka larguar menjëherë. Ndërkohë, Masimo Morati, ka bërë të ditur se pavarësisht se intervista nuk ishte e autorizuar, masat do të merren vetëm kundër lojtarit dhe jo burimit që ka publikuar këtë lajm. Nga ana teknike, largimi i Fontanës ndryshon shumë pak në kampin zikaltër, pasi trajneri kishte bërë të ditur se do të hedhë në fushë Fabien Karinin, si zëvendësuesin e Françesko Toldos.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›