E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatorino: Po lexoja gazetën dhe nuk e kuptova çfarë ndodhi

Rrëfimi

“Unë punoj fatorino dhe kam qenë në mes, gati nga fundi i autobusit. Nuk mbaj mend asgjë, vetëm kur kam parë që autobusi ka dalë nga rruga dhe jam përpjekur që të futem poshtë sediljeve, kaq ka qenë. Nuk e kuptoj as vetë se si ka ndodhur”. Kështu e nis rrëfimin e tij Pjerin Kola, i cili ka shpjeguar për mediat momentin e tmerrit. Ai është fatorino i autobusit që u aksidentua të shtunën në Gjegjan të Pukës, ku humbën jetën 14 persona dhe 12 të tjerë u plagosën. Në një prononcim për mediat, në Spitalin Ushtarak, ku dhe ka marrë ndihmën mjekësore, ai përpiqet të rikujtojë momentin që solli tragjedinë, por thotë se e ka shumë të vështirë dhe se nuk mban mend asgjë. “Kisha mbaruar punët e mia si fatorino dhe u ula në një sedilje bosh. Aty hapa gazetën e fillova të lexoja. Në një moment kam dëgjuar duke ulëritur pasagjerët dhe një tronditje. Nga frika u ula poshtë dhe u kapa te këmba e hekurit të sediljes”, fillon të shpjegojë 43-vjeçari Kola. Më tej ai shprehet se aty është mbajtur fort, derisa ka humbur ndjenjat. Tashmë ai është më mirë dhe mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën. Në mëngjes është përballur edhe me punonjësit e policisë, të cilët e kanë pyetur për ngjarjen, por e vetmja gjë që mbante mend kishte të bënte me disa vranësira dhe shi të imët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›