E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia - Napoli, 1 milionë euro e drejta televizive

Autori i Lajmit: red.
Vllaznia nuk ka fatin të jetë skuadra e parë shqiptare për t u përballur me një kundërshtar nga Italia, një nga kampionatet më të forta në botë. Shansin për të ballafaquar për ta bërë “sefte” me një skuadër nga vendi i anës tjetër të Adriatikut e ka pasur Partizani.
Dje është hedhur në Nion të Zvicrës shorti për turin e 2-të paraeleminator të Kupës UEFA, ku merr pjesë edhe ekipi i Vllaznisë së Shkodrës. Në bazë të shortit, ekipi i Vllaznisë do të ndeshet në këtë tur me ekipin italian të Napolit më 14 dhe 28 gusht, sipas datave të përcaktuara nga UEFA për ndeshjet e këtij turi. Fituesit e këtij turi do të kualifikohen për në turin e parë të Kupës UEFA (C3), ndërkohë që ndeshjet do të luhen më 18 shtator dhe 2 tetor. Prej shumë vitesh një skuadër shqiptare nuk përballej në arenën ndërkombëtare me një ekip nga vend me futboll të nivelit të lartë. Napoli është një mundësi e mirë për të përfituar edhe financiarisht nga shitja e së drejtës televizive. Burime të sigurta nga kampi shkodran, pohuan se kompania “Sport Five”, që ka menaxhuar edhe të drejtat televizive të Kombëtares sonë në eliminatoret e Euro 2008 nisi formalisht kontaktet me Vllazninë për prodhimin e shitjen e sinjalit televiziv rrjeteve televizive italiane. Sipas zyrtarit të lartë të Vllaznisë, “Sport Five” mund t u ofrojë kuqebluve një shumë të përafërt me 1 milion euro. Napoli është një nga skuadrat më të dashura të Italisë së Jugut, por kompania “Sport Five”, synon të përfitojë edhe nga prania e madhe e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj. Lajmi konfirmohet nga presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj. Është një gjë shumë e madhe për Vllazninë të ndeshet me një nga skuadrat më të njohura të Serisë A, Napolin.

Fushaj: “Kundër Napolit, Vllaznia bën surprizën e radhës”

“Është një gjë shumë e madhe për Vllazninë të ndeshet me një nga skuadrat më të njohura të Serisë A, Napolin”. Kështu u shpreh presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, menjëherë pas hedhjes së shortit të turit të dytë të Kupës UEFA. “Pak a shumë e prisnim një kundërshtar të fortë, por tani është vështirë të flitet për kualifikim, por bëhet fjalë vetëm për një prezantim dinjitoz të futbollit shkodran në Itali”. Vllaznia “peshkoi” Napolin në tyrin e dytë eliminator të Kupës UEFA, një nga tri ekipet më të forta të Grupit të Jugut, duke futur në këtë llogari edhe spanjollët e Deportivo La Korunjës e turqit e Beshiktashit. “Pa dyshim që do të jetë një gëzim edhe për tifozët e Vllaznisë, pasi të luash kundër një skuadre italiane nuk është gjë e vogël. Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme për t u paraqitur sa më mirë kundër Napolit. Gjithsesi, futbolli ka dhe të papritura , - shton presidenti i klubit më të vjetër në Shqipëri. Vllaznisë në ndeshjen kundër Napolit do t i mungojë sulmuesi Xhevahir Sukaj, autori i dy golave në ndeshjen e parë kundër Koperit, që solli edhe kualifikimin për herë të pestë të shkodranëve në turin e dytë të një kompeticioni ndërkombëtar. “Jo vetëm Sukaj, por nga Vllaznia gjatë kësaj kohe mund të largohen edhe dy lojtarë të tjerë”, - shtoi presidenti i 9 herë kampionëve të Shqipërisë, duke lënë kështu të hapur mundësinë e largimit të Admir Telit dhe Gilman Likës.
Ky lajm është publikuar: 02/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›