Vllaznia, me mllef kundër Apolonisë

- Nëse dy javë para përfundimit të kampionatit janë zgjidhur dy enigma e para (kampion: Tirana, në të Parën: Apolonia), sezoni ka ende për të dhënë edhe katër verdikte të tjera, që kanë të bëjnë me tri ekipet e tjera që do ta marrin pjesë në zonën europiane dhe ekipin e dytë që do të zbresë në një kategori më poshtë (me 99.9%, Luftëtari).
MUNDËSIA INTERTOTO
Vllaznia u dëshpërua shumë pas barazimit pa gola në shtëpi kundër Teutës (gjykoi italiani Airoldi), teksa ka humbur me 50% mundësitë për të marrë pjesë në Kupën UEFA, teksa po me kaq për qind (50) mundësi shkodranët mund të luajnë edhe në Kupën Intertoto, duke spostuar Partizanin, që e shihte këtë mundësi si të vetmen rrugë për të dalë në Europë.
KUJTIMI I HIDHUR
Vllaznia (vendi i tretë) do të presë në shtëpi Apoloninë, që vjen në Shkodër vetëm për të respektuar kampionatin, pasi skuadra fierake tashmë do ta fillojë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Interesant është një fakt: Apolonia fitoi (2-1) në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkodër (me dy gola të shënuar nga golashënuesi i tretë më i mirë i kampionatit shqiptar, Sebino Plaku), ndërsa në atë të kthimit në "Loni Papuciu", shkodranët shkarkuan të gjithë mllefin e grumbulluar duke fituar thellësisht 4-1.
BILANC I PASUR
Takimi në "Loro Borici (ora 16:00, gjyqtar Lulaj) është i 70-ti për të dy ekipet, ku "pjata" e fitoreve anon dukshëm nga nëntë herë kampionët e Shqipërisë: 46 fitore për Vllazninë dhe 13 fitore për Apoloninë (10 barazime).