E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlonjatët “ngrenë flamurin”, Besa i falet Daniel Xhafës

 Flamurtari ka mundur pastër, 2-0, Apoloninë e Fierit, duke i përmirësuar ndjeshëm pozitat e tij kritike në klasifikim. Nga ana tjetër, skuadra fierake, e drejtuar nga Hasan Lika, vijon “rënien e lirë”. Duke humbur mjaft terren në klasifikim dhe u përfshirë në skuadrat e pjesës së dytë të renditjes, që rrezikohen. Dy golat për vlonjatët i kanë shënuar Elton Grami, mbrojtës, dhe Migen Memelli, sulmues, që të dy të ardhur nga merkatoja e dimrit. Madje Grami bënte pjesë tek Apolonia fazën e parë, por u largua pas humbjes 3-2 në Fier, me Kastriotin. Në Kavajë, Besa e vendit të dytë i është falur këmbëve të Daniel Xhafës, goli i të cilit ka bërë diferencën. Krutanët kishin udhëtuar jo pa ambicie drejt kësaj transferte, madje e kanë vënë mjaft në vështirësi Besën, por nuk kanë arritur ta baraspeshojnë golin e Xhafës. Në këtë mënyrë, 3 pikët i fiton Besa, që konsolidon vendin e dytë në renditje, duke shfrytëzuar edhe hapin fals të Tiranës, të shtunën, me Vllazninë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›