E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, banorët e Ujit të Ftohtë protestojnë para prokurorisë

Rreth 30 vetë nga zona e Ujit të Ftohtë, pas protestës së dy ditëve më parë përpara Kryeministrisë, kanë riprotestuar dje përpara prokurorisë në qytetin e Vlorës. Ata kanë kërkuar që të hetohet për denoncimet që kanë bërë për njerëzit dhe institucionet që kanë falsifikuar, duke ju hequr atyre pronën. "Kam ardhur nga Italia. Humba punën e gjithçka që fitova në emigracion, për të ndjekur problemin që na është krijuar nga vetë shteti.
Jemi pronarë të ligjshëm në zonën e Ujit të Ftohtë, që e kemi fituar sipas të drejtës, mbështetur në ligj, që nga viti 1966, vit që na e konfiskuar shteti i asaj kohe, që e shndërroi  në ullishtë. Pas rënies së regjimit ne e fituam pronën dhe na është kthyer nga komisioni i kthimit të pronave në vitin 1995. Disponojmë të gjitha dokumentet e rregullta. Në vitin 1993, mbi themelet e shtëpisë së vjetër bëra një të re ku linda dhe rrita fëmijët e mi. Vetëm pak muaj më parë, lindi konflikti", tregon Festim Memushaj. Banorët shprehen se duke disponuar dokumentet sipas ligjit, zgjodhën një firmë ndërtimi e pajisur me të gjitha të drejtat ligjore dhe pasi u miratua një shesh ndërtimi, nisën të ndërtojnë një banesë nga fillimi i muajit tetor të vitit të kaluar. Krejt papritur, kur ndërtesa shkoi në katin e tretë, drejtoria e vilave në Vlorë, dërgon ushtarët e Gardës së Republikës, që me dhunë e presion, kërkojnë ndërprerjen e punimeve. Si shkak, drejtoresha e vilave, Barie Isufi, u dërgon një dokument me pretekstin se kjo pronë është në juridiksion të shërbimeve qeveritare. Që nga ky moment nisi përplasja mes 16 familjeve dhe vilave qeveritare, që ka agravuar në dhunë e përplasje fizike. "Kemi trokitur në të gjitha institucionet e shtetit dhe kur shohin këtë dosje voluminoze, na japin të drejtë. Nuk ka asnjë shqetësim nga policia ndërtimore, ARPP na qetëson duke na thënë, "jeni në pronën tuaj", bashkia ngre duart përpjetë. Nuk mund të përballemi me shtetin. Rruga e vetme është të futemi në grevë urie në hyrje të Kryeministrisë", tregojnë banorët duke shtuar se kanë protestuar edhe tek Gjenerali i Republikës, Andrea Prendi, që të shmangë ushtarët e gardës nga konflikti, pasi sipas tyre do të ketë pasoja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›