E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, këshilli studentor fajëson universitetin për mungesën e psikologut

>Këshilli studentor i Universitetit të Vlorës ka dalë dje në një konferencë për shtyp, ku kanë dënuar aktin e kryer në 12 janar, ku u plagos një student. Ata janë shprehur se kjo ngjarje e rëndë ka nxjerrë në pah situatën aktuale në të cilën ndodhet rinia në Vlorë dhe veçanërisht studentët. Ata kanë bërë përgjegjës universitetin, i cili në strukturën e tij nuk ka një psikolog që të konsultohen të rinjtë, ndërsa nga ana tjetër sipas tyre është angazhimi i pakët i rektoratit në organizmin e aktiviteteve përfshirëse për studentët. Pyetur për lirimin e studentes, përfaqësuesit e këshillit studentor thanë se ata dënojnë aktin, por të gjithë qëndrimet e mëpasshme ndaj studentes ja kanë lënë në dorë prokurorisë dhe gjithë organeve të gjyqësorit. Ne e vlerësojmë aktin si të shëmtuar thanë ata, por edhe jemi këtu për të bërë me dije problemet që kemi.
Deklarata e këshillit studentor
Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur në Universitetin Ismail Qemali, ditën e hënë, këshilli studentor i universitetit e vlerëson ngjarjen si shumë të rëndë. Ne si përfaqësues të komunitetit studentor, kemi dalë këtu sot për të shfaqur shqetësimin madhor të këtij komuniteti në lidhje me këtë ngjarje si dhe me të tjera që fatmirësisht nuk kanë arritur në përfundime tragjike. Vitet e fundit ndikuar edhe nga kushtet social ekonomike, po shohim një rritje drastike të rasteve të përdorimit të drogës, vetëvrasjeve, si dhe fenomenit të dhunës në shoqërinë studentore. Pa dashur për ti dhënë leksione apo për të bërë moral, konstatojmë se rinia dhe studentët janë në regres të plotë. Interesat, kërkesat dhe nevojat e saj rriten dita ditës, ndërkohë nga ana tjetër shohim që ska asnjë angazhim apo interesim nga strukturat përkatëse. Kushtet e vështira ekonomike familjare, përdorimi i drogave të ndryshme, mungesa e aktiviteteve social kulturore e sportive, pse jo edhe kërkimore studimore kanë rënduar së tepërmi gjendjen e studentëve, si dhe botëkuptimin e tyre për një jetë normale. Të gjitha këto kanë rritur në mënyrë skandaloze apatinë e përgjithshme, po bëjnë që studentët dhe të rinjtë në qytetin e Vlorës të humbasin besimin në vetvete dhe të bëhen pre e dhunës, përdorimit të drogës, depresionit apo emigrimit. Pasojat nuk kanë nevojë për koment, ato mund të jenë të gjithanshme, por asnjëherë pozitive dhe në të mirë të shoqërisë. Prej kohësh këshilli studentor ka kërkuar që në universitet të vendoset një psikologe, por asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. Gjithashtu indiferenca e autoriteteve drejtuese ndaj kërkesave të këshillit studentor ka bërë që universitet të ketë kolaps të plotë. Sot studentët kanë nevojë të bëjnë gjëra të ndryshme nga kafenetë, pubet, apo forumet e partive politike. Bëjmë apel për këdo që të kontribuojë sadopak në ndryshimin e këtij realiteti. Pushteti qendror dhe lokal si dhe rektorati kanë detyrimin kryesor për të bërë këtë ndryshim. Nga ana tjetër ne si këshill studentor kemi të gjithë vullnetin e duhur për tu bërë promotorë të këtij ndryshimi. Ju lutem na ndihmoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›