E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlore, pallati në ndërtim rrezikon jetën e banoreve

Banoret e disa familjeve në lagjen "Dëshmorët", kanë lëshuar apelin se banesat e tyre janë shkatërruar si pasojë e punimeve që po kryhen nga një firmë ndërtimi për ngritjen e një ndërtese disakatëshe. 

VLORE-  . Sipas Edmond Ruçit, pronar i një prej banesave të rrezikuara, "shtëpia ime dhe ato të të afërmve të mi janë dëmtuar totalisht duke marrë krisje në të dy katet, po ashtu dhe një tjetër banesë pranë saj ka pasur dëmtime". Sipas tij, rreziku është bërë kërcënues që 2 javë më parë, kur nisën punimet për hapjen e themeleve të godinës, fare ngjitur me banesat e tyre. Pronarët e banesave shprehen se për këtë shkak, një shtëpi, në të dy katet është bërë e pabanueshme dhe rrezikon shembjen. Për këtë shkak, banorët e saj janë larguar diku tjetër. Edmond Ruçi shton se nga ana e tyre janë të disponueshme të gjitha dokumentacionet, por edhe se kanë paraqitur kërkesë pranë institucioneve të ndryshme shtetërore për zgjidhjen e kësaj situate. "Por deri tani, askush nuk e ka marrë në konsideratë këtë apel, e jeta jonë është e rrezikuar", - shton ai. "Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veçse ndërtuesi të respektojë distancat e ndërtimit e parametrat teknike, që shtëpitë dhe jeta jonë të mos jenë të rrezikuara. Kemi kontaktuar dhe me pronarët e objektit që po ndërtohet, por dhe ata vazhdojnë në të tyren", - këmbëngulin banorët. Ata kërkojnë që për këtë problem të ndërhyjë sa më parë shteti, organizmave të të cilit u janë drejtuar prej kohësh, para se të ndodhë ndonjë tragjedi e mundshme.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›