E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, banorët e Golemit bllokojnë punimet e rrugës Plepa-Kavajë, shkak çmimi i shpronësimeve

Vazhdojnë problemet në rrugën Plepa-Kavajë, ku vazhdimisht protesta nga më të ndryshmet kanë shoqëruar punimet e kësaj rruge që janë kundërshtuar nga banorët dhe bizneset. Këtë herë janë 70 banorë të fshatit Kryemdhenj në komunën e Golemit që kanë bllokuar punimet që po kryhen për zgjerimin e rrugës Plepa-Kavajë.Shkak i bllokimit të rrugës këtë radhë nuk kanë qenë ato që janë bërë të ditura me projektin, por me çmimin që është përcaktuar për shpronësimet e tokës në pjesën ku rruga zgjerohet në drejtim të detit. Banorët kanë deklaruar se nuk pranojnë në asnjë mënyrë çmimin që është përcaktuar 350 lekë për metër katror, në një kohë që sipas çmimit që është deklaruar me vendim të këshillit të ministrave, çmimi i tokës në këtë zonë duhej të ishte nga 13 000 lekë deri në 16 900 lekë të reja për metër katror. Banorët e fshatit Kryemdhenj që gjendet buzë rrugës nacionale Plepa-Rrogozhinë nuk lejuan për disa orë mjetet e firmave ndërtuese që të hapnin kanalin për ndërtimin e murit mbajtës. Namir Gjuzi, kryeplak i këtij fshati ka deklaruar që një vendim i tillë në lidhje me çmimin ka prapavijë politike, pasi ne kemi marrë vesh që toka që po shpronësohet në komunën e Rrashbullit në Shkëmbin e Kavajës është vlerësuar me 20 mijë lekë të reja një metër katror. Ne nuk do të lejojmë që ta vjedhin mundin dhe djersën tonë duke e vlerësuar tokën pa marrë parasysh vendin ku ajo ndodhet. Janë rreth 300 shtëpi në këtë fshat që preken nga shpronësimi për zgjerimin e rrugës, ndërkohë që sipërfaqja totale e tokës që do të zihet nga zgjerimi i rrugës është 2 hektarë. Edhe komuna e Golemit është shprehur kundër këtij çmimi prej 350 lekësh, duke shtuar se toka në këtë vend nuk mund të klasifikohet si tokë bujqësore, pasi ajo është vetëm 500-800 metër larg bregut të detit. Banorët kanë dërguar një peticion tek kryeministri Berisha, ministria e Transporteve, si dhe prefekturës së Kavajës dhe deputetit të Kavajës për të ndërhyrë që të vendoset një çmim i pranueshëm për shpronësimet por deri tani ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe duket se edhe kjo protestë e radhës po shoqërohet me indiferencën qeveritare. Gjithsesi banorët kanë deklaruar se nëse nuk marrin asnjë përgjigje ata do ta përshkallëzojnë protestën e tyre dhe nuk do ti lejojnë punimet të vazhdojnë. Vetëm para dy javësh banorët dhe shoqata e biznesmenëve që kanë aktivitete përgjatë rrugës kombëtare nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem kanë zhvilluar protesta kundër autostradës Plepa-Kavajë sepse ata kanë patur një tjetër problem për këtë rrugë. Pronarë të hoteleve, moteleve, restoranteve, vilave, apartamenteve, fshatrave turistik dhe banorë të zonës kanë protestuar para dy javësh me pretendimin se Ministria e Transporteve vazhdon të qëndrojë indiferente ndaj kërkesave të tyre. Ndërtimi i autostradës vetëm 5 metër larg bizneseve i nxjerr të gjitha aktivitet jashtë çdo lloj mbijetese ngase pushuesit detyrimisht orientohen për të braktisur Shkëmbin e Kavajës, Golemin e Karpenin, zonë turistike shumë e frekuentuar veçanërisht në muajt e verës. Pronarët e këtyre lokaleve në të cilat kanë futur miliona lekë e dollarë, kanë kërkuar që gjatësia e rrugës nga Plepat e Plazhit të Durrësit deri në dalje të Golemit të jetë në kalldrëm për të detyruar mjetet të ecin me shpejtësi të vogël. Investimi që ka nisur saktësisht me 5 janar 2009, ka pasuar me probleme serioze për zhvillimin e turizmit bregdetar në këtë zonë. Afro 100 pronarë hotelesh dhe restorantesh si dhe banorë të zonës në Shkëmbin e Kavajës dhe Golem janë shprehur në miratim të investimit kryesor që do të shërbejë për përmirësimin e ndjeshëm të qarkullimit të automjeteve nga Jugu i vendit drejt Tiranës e Durrësit.

Last Updated on Sunday, 19 April 2009 07:47

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›