E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, shmanget tragjedia, rojet bregdetare shpëtojnë 2 peshkatarë në det

Erërat e forta në Vlorë dhe rrethinat e saj kanë shkaktuar probleme në port dhe det. Sipas kapitenerisë së portit në Skelë, fuqia e erës ka qenë 16 m/sek, dhe kjo ka detyruar një traget të niset nga kalata e portit vetëm me gati gjysmën e ngarkesës. Era e fortë e ka detyruar këtë traget të lërë gjysmën tjetër të ngarkesës, midis tyre edhe shumë pasagjerë dhe të largohet për në shtetin fqinj. Po ashtu, sipas burimeve nga kapiteneria e portit, një pjesë e madhe e anijeve të transportit që kanë qenë ankoruar në kalatën numër 2 të këtij porti, kanë qenë të detyruara të ngrenë spirancën dhe të dalin në radë sepse era e fortë mund t'u sillte probleme me përplasjen me njëra-tjetrën, ose me vetë kalatën. Këto anije deri në orët e vona të mbasdites kanë qëndruar në radë dhe sipas urdhrit të kapitanerisë, ku vetëm pas marrjes së urdhrit prej saj, mund ti afroheshin kalatës së portit. Por era e fortë ditën e djeshme për pak sa nuk ka shkaktuar fatkeqësinë e radhës në det, duke rrezikuar jetën e dy peshkatarëve që kishin dalë në mëngjes si zakonisht për peshkim në gjirin e Dukatit. Ngjarja bëhet e ditur nga baza ushtarake e Pashalimanit, pasi këtu ka ardhur fillimisht sinjali i kërkimit të ndihmës nga peshkatarët e rrezikuar dhe ka qenë roja bregdetare e kësaj baze, që ka shpëtuar peshkatarët që ishin në një barkë të thjeshtë dhe kishin dalë për peshkim. Sipas burimeve nga kjo bazë, dy peshkatarë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kishin dalë në mëngjes me një barkë të thjeshtë, rreth tre metra të gjatë dhe me një motor me fuqi të vogël për peshkim. Mirëpo era e fortë i ka detyruar ata të largohen nga vendpeshkimi dhe të dalin në det. Fatmirësisht, njëri prej peshkatarëve kishte me vete një telefon celular, me të cilin ka lajmëruar fillimisht familjen e tij dhe kjo ka lajmëruar në bazën ushtarake të Pashalimanit për rrezikun që u kanosej peshkatarëve. Këta kanë mundur që ta mbajnë barkën nën zotërim vetëm me anë të lopatave që kishin me vete. Sapo është marrë njoftimi, një roje bregdetare e kësaj baze ushtarake është nisur në drejtimin e njoftuar nga peshkatarët dhe kanë bërë të mundur shpëtimin e tyre. Sipas këtyre burimeve, peshkatarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë probleme. Dalja në det gjatë këtyre dy ditëve të fundit ka qenë shumë e vështirë sepse era në gjirin e Vlorës ka qenë shumë e fortë. Disa kapitenë dhe pronarë anijesh peshkimi bëjnë të ditur se kanë qenë përgatitur për të dalë për peshkim, madje disa të tjerë dhe janë nisur, por janë kthyer mbas sepse era nuk i ka lënë ata të dalin në det.

Email This Klikime: 8

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›