E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, sulmohet prefekti, dhunohen punonjësit e prefekturës

Një tjetër rast dhune është shënuar paraditen e sotme në Vlorë, por kësaj radhe në shënjestër ka qenë prefekti dhe institucioni që ai drejton. Mësohet se dy persona ende të paidentifikuar e kanë ndaluar prefektin e Vlorës, Eduard Veçani, teksa ai dilte nga godina, me pretendimin se donin një takim me të.

Pasi ky i fundit u është përgjigjur se për momentin nuk kishte kohë, pasi kishte angazhime të tjera, dy të rinjtë kanë tentuar të ushtrojnë dhunë mbi të, duke e kapur nga rrobat. Menjëherë kanë ndërhyrë rojat, të cilët kanë arritur të shmangin dhunën mbi prefektin, por agresorët u janë drejtuar më pas punonjësve të pranishëm duke i qëlluar.

Ata kanë qëlluar mbi policin e prefekturës dhe sekretaren, e më pas kanë thyer edhe xhamat e institucionit. Policia ka arritur të shoqërojë njërin prej dhunuesve, ndërsa të pranishmit vazhdojnë të jenë të tronditur nga ngjarja. / Anila Peçi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›