E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, vidhet përcjellësi i energjisë elektrike, pa drita Kanaina

TIRANE- Vjedhja e 2500 metër linear përcjellësi të energjisë elektrike ka lënë pa energji fshatin Kaninë, i njohur ndryshe si ballkoni i Vlorës. Vjedhja është një fenomen i përsëritur, ndërkohë që banorët akuzojnë policinë për neglizhencë. Janë gjithsej 8 shtylla të tensionit të lartë me nga 3 përcjellës secila që janë vjedhur së fundmi. Pa energji kanë mbetur banorë të zonës periferike, si dhe të tjerë banorë në lagjen 10 korriku.

Sipas këtyre të fundit, është ndërprerë energjia nga burimi kryesor e më pas janë prerë përcjellësit, ndërkohë që dyshojnë se vjedhjet kryhen nga specialistë të fushës. Të alarmuar lidhur me situatën janë dhe vetë punonjësit e CEZ në Vlorë, të cilët bëjnë të ditur se për zëvendësimin e kësaj sasie do të duhet kohë, pasi një pjesë e telit është gjendje nëpër magazina, ndërsa pjesa tjetër duhet të faturohet dhe të vijë nga qyteti i Fierit ku ndodhet edhe drejtoria e shpërndarjes, c’ka nënkupton që banorët duhet të vuajnë mungesën e energjisë elektrike.

Në Kaninë ka aktualisht transmetues televiziv, antena celularësh dhe interneti, duke sjellë anomali madje edhe në furnizimin me sinjal të radiove të policisë, të cilat janë të stacionuara në kalanë e Kaninës. Ky është rasti i dhjetë i vjedhjes së përcjellësve të energjisë në Kaninë brenda këtij viti, ndërsa në Zvërnec ku ndodhen të gjithë transmetuesit televizivë, kjo vjedhje ndodh thuajse 2 herë në javë dhe askush nuk është vënë nën pranga nga blutë e Vlorës.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›