E Diel, 1 Nëntor 2026

Vokrri: Ndryshimi i logove kuqezi? Presim udhëzime nga institucionet

Nga Blerimi Halimi, Kosova Sot
Miratimi i simboleve të reja të Republikës së Kosovës, sigurisht do të nxisë edhe drejtuesit e federatave të sporteve që të bëjnë ndryshimin e logove të tyre, në mënyrë që deri diku t'i përshtaten ngjyrave të simboleve shtetërore. Deri më tash në shumicën e logove të federatave mbizotërojnë ngjyrat e flamurit kombëtar shqiptar – kuqezi. Kryetari i ri i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në lidhje me këtë cështje ka thënë se pret udhëzimet nga institucionet e Kosovës. "Nuk kemi menduar ende për një gjë të tillë, por sigurisht për këtë cështje do të kërkojmë edhe udhëzimet nga institucionet tona. Logoja jonë momentalisht ka pesë ngjyra, por mbizotëron e kuqja. Do të shohim në ditët e ardhshme nëse do të jetë e nevojshme për ndonjë ndryshim në logo", ka thënë Vokrri. Sipas tij, prioritet në ditët e ardhshme për FFK-në do të jenë kontaktet e vazhdueshme me FIFA-n dhe UEFA-n. "Dje kam kontaktuar nëpërmjet telefonit me Zherom Shampanj, këshilltarin e parë të presidentit të FIFA-s, Sep Blater dhe besoj se shumë shpejtë do të kemi një takim zyrtarë me drejtuesit e FIFA-s", ka shtuar Vokrri. Devaja: Mund t'i ndryshojmë vetëm ngjyrat e logos Për dallim nga Vokrri, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Mexhid Devaja ka thënë se pas miratimit të simboleve shtetërore në Kuvendin e Kosovës, ka menduar menjëherë edhe për ndryshimin eventual të ngjyrave të logos së FHK-së. "Ne ka kohë që jemi të pranuar në EHF me disa kufizime dhe jemi paraqitur me logon aktuale me ngjyrat kuqezi, por deri më tash kemi qenë pa simbole shtetërore. Prandaj duhet të shqyrtojmë mundësinë e ndryshimit të ngjyrave të logos, në mënyrë që të mos i japim hapësirë drejtuesve të federatës evropiane për të na bërë ndonjë pengesë për pranim me të drejta të plota", ka pohuar Devaja. Ai ka thënë se gjatë kësaj jave do ta shqyrtojë këtë cështje me anëtarët e Bordit të FHK-së dhe do të vendoset. "Ekziston mundësia që të ndryshojmë vetëm ngjyrat e logos, pa prekur dicka tjetër në dizajnin e saj, ngase është e logjikshme që t'ia përshtatim ngjyrat e simboleve shtetërore, me të cilat do të paraqitemi në të ardhmen në garat ndërkombëtare. Njëherësh në këtë rast ngjyrat e simboleve shtetërore na përshtaten edhe me ngjyrat e logos së federatës evropiane", ka nënvizuar Devaja. Ai ka shprehur shpresën se shumë shpejt EHF-ja do ta pranojë FHK-në me të drejta të plota dhe më pas këtë do ta bëjë edhe Federata botërore e hendbollit (IHF), të cilës i prinë miku i madh i Kosovës, Hasan Mustafa. Nuk kemi nevojë për ndryshim të logos Një tjetër federatë e pranuar ndërkombëtarisht është edhe ajo e pingpongut, e cila po ashtu në logon e saj krahas ngjyrës së gjelbër ka të vendosura edhe ngjyrat e kuq dhe zi dhe një rreth të bardhë në mes. Megjithatë, përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në pingpong, Nehat Citaku, nuk e sheh si problem këtë cështje. "Ne nuk kemi nevojë për ndryshimin e logos, sepse ngjyra e kuqe, e zezë, e gjelbër dhe e bardhë që janë të vendosura në logo, përfaqësojnë ngjyrat e reketit dhe tabelës si dhe të topit të pingpongut. Mirëpo, ne jemi të privilegjuar për faktin se do të jemi federata e parë sportive në Kosovë, e cila do të prezantohet me flamurin e ri shtetëror në një garë sportive. Do të jetë pikërisht kampionati botëror në Kinë, që mbahet në fundjavë, në të cilin ne do të paraqitemi me flamurin shtetëror të Kosovës", ka thënë Citaku. Ndër federatat e pakta që më herët iu kanë shmangur ngjyrave kuqezi në logot e tyre janë federata e basketbollit dhe ajo e volejbollit, derisa federatave tjera u mbetet që në ditët e ardhshme të mendojnë për përshtatjen e ngjyrave të logove me ngjyrat e simboleve të reja të shtetit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›