Vonohet hartimi i draftit për kontrollin e SHISH-it
Drafti për kontrollin parlamentar të Shërbimit Informativ Shtetëror duket se do të hartohet nga ana e Komisionit parlamentar të Sigurisë vetëm në sesionin e ardhshëm parlamentar. Kjo, pasi ende deputetët e komisionit nuk kanë hartuar një draft ku të bihet dakord në lidhje me modalitetet e kontrollit të SHISH-it nga ana e ligjvënësit.
Në hartimin e shpejtë të këtij drafti duket se nuk ka ndihmuar as prania këto ditë në Tiranë edhe e një eksperti britanik, i cili ka ardhur për të dhënë ndihmë në hartimin e kësaj nisme. Burimet bëjnë të ditur se përfaqësuesit socialistë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare ende nuk kanë zhvilluar ndonjë takim me këtë ekspert, ndonëse kanë kërkuar disa herë. Një takim mes tyre dhe ekspertit pritet të ndodhë përgjatë kësaj jave, në mënyrë që edhe ata të kenë një ide më të qartë në lidhje me hartimin e kësaj nisme të re. Po kështu burimet bëjnë të ditur se kjo do të jetë java e fundit përgjatë së cilës ky ekspert do të qëndrojë në vendin tonë. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, ka deklaruar se kjo nismë synon që një organ i rëndësishëm siç është Kuvendi, të ketë të drejtën të kontrollojë punën e SHISH-it, një institucion i cili deri tani nuk ka pasur asnjë kontroll. Synimi i mazhorancës për këtë nismë është edhe gjetja e një kompromisi me opozitën.
#