E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, njeriu i PD që fiton gjithmonë

15/05/2011  Profil, kandidati i PD-së në karrierë ngritjeje

Kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ardhur në politikë, në vitin 2005 asokohe si anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave. Kandidoi në zonën e 21 dhjetorit për deputet kundër Arben Ahmetit të PS-së, gjatë të cilës fitoi me një diferencë jo të vogël votash, duke pasur parasysh që ishte dhe bastion i majtë. Djaloshi, asokohe vetëm 31 vjeç, pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve dhe fitores së Partisë Demokratike, do të emërohej ministër Transportesh. Në fakt asokohe gjendja e rrugëve në Shqipëri lindte shumë për të dëshiruar, dhe kjo ishte një sprovë e madhe për djaloshin që do të menaxhonte një nga institucionet më të mëdha. Natyrisht shumë në fillim u treguan mosbesues, por faktet treguan se Lulzim Basha, ia doli të realizojë një prej objektivave më të mëdha të qeverisjes, rrugën Durrës- Kukës, një prej veprave më madhore të ndërtuara këto 20 vitet e fundit. E natyrisht, duke e parë si pikë të fortë të Partisë Demokratike, shumë shpejt u shënjestrua nga ana socialistëve, të cilët e akuzonin për korrupsion në ndërtimin e kësaj rruge. Por me gjithë akuzat që ju bënë, akuzat asnjëherë nuk arritën të vërtetoheshin nga ana e akuzës.

NATO

Por një tjetër sukses që i njihet Lulzim Bashës është edhe kontributi i tij për anëtarësimin në NATO, pas emërimit në krye të Ministrisë së Jashtme. Edhe në këtë rast Basha mori vlerësimet maksimale, në punën e tij si ministër. Një politikan i profilit të lartë, ai do ishte shumë aktiv dhe në çështjen e Kosovës. Por sërish u shenjua nga socialistët. Një pakt detar, jo shumë i qartë i hedhur poshtë nga ana e Gjykatës Kushtetuese iu faturua sërish Lulzim Bashës, megjithëse procesi ishte shumë teknik. Nga të dyja anët, pati deklarata dhe kundërdeklarata dhe në fakt nuk u mor vesh asnjëherë qartë nëse ajo marrëveshje kishte shkelje apo jo. Por investimi dhe një pjesë e madhe suksesit që eklipsoi akuzat, ishte anëtarësimi në NATO.

Zgjedhjet e vitit 2009

Në zgjedhjet e vitit 2009, Lulzim Bashës do i lihej qarku i Elbasanit, një zonë e vështirë kjo për demokratët, sidomos kur bëhet fjalë për një elektorat, i cili në rang qarku anon më shumë majtas. Edhe këtu Lulzim Basha, arriti të marrë një rezultat spektakolar, si kreu i fushatës. Nga 14 deputetë, koalicioni djathtë mori 7 deputetë, një shifër kjo jashtëzakonisht e lartë po të kemi parasysh dhe rezultat që Partia Demokratike, kishte marrë vetëm katër deputetë. Duke marrë parasysh rezultatin e ngushtë që doli nga këto zgjedhje, atëherë duhet thënë se kontributi i Bashës ka qenë mjaft i çmuar në këto zgjedhje, krahasuar me disa veteran të PD-së, që dhe në bastionet e së djathtës nuk morën as rezultatet e vitit 2005. Gjithsesi Lulzim Basha ka treguar se çdo detyrë që i ka lënë Partia Demokratike, ka rezultuar i suksesshëm, duke bërë që admirimi në bazën e Partisë Demokratike për staturën politike të tij, të jetë tepër e lartë. Sido që të jetë rezultati final i zgjedhjeve sërish, Basha do të vijojë të mbetet një ikonë për mbështetësit e Partisë Demokratike, pasi në këto zgjedhje ai nuk kishte përballë vetëm Kryetarin Aktual të Bashkisë, por edhe kryetarin e Partisë Socialiste, pra elektorati nga ana tjetër ishte dyfish më i motivuar.

Zgjedhjet e 2007-ës, sa ka rikuperuar kandidati i PD

Basha rikuperon 40 mijë vota në vitin 2011

Po të bëjmë një krahasim me zgjedhjet e vitit 2007, pra zgjedhjet vendore, Lulzim Basha ka arritur të rikuperojë gati 40 mijë vota në krahasim me kandidatin e atëhershëm Sokol Olldashi. Asokohe, kandidati Olldashi arriti të merrte vetëm 75 mijë vota, ndërsa Rama 100 mijë vota. E ndërkohë duket se qytetarët e Tiranës, i kanë besuar emrit të Lulzim Bashës, Edi Rama duhet theksuar se e kishte këtë luftë për jetë a vdekje. Gjithsesi Basha arriti të thithte dhe rreth 36 apo 37 mijë vota më shumë, pas një fushate që prej kohësh nuk ishte parë në Tiranë. Natyrisht që në këtë rezultat që ai ka arritur të marrë, një rol jo të vogël ka luajtur dhe LSI, e cila ka arritur të marrë në Tiranë, deri më tani sipas shifrave më shumë se 16 mijë vota. Basha solli në këtë fushatë një frymë tjetër të të bërit fushatë, që shqiptarët nuk e kishin parë më parë. Dhe përgjatë kësaj kohe kur ende nuk është shpallur rezultati final i zgjedhjeve, sërish ai ka mbajtur një qëndrim të maturuar, në krahasim me kundërshtarin e tij, i cili deri më tani është treguar i paduruar disa herë për të shpallur fitoren e tij, siç ka bërë përgjatë një jave që kur ka filluar numërimi i votave në Tiranë, më datën 9 maj, kur u nxitua të shpallej fitues.

Procesi i lëvizjes së lirë

Liberalizimi i vizave një ëndërr që u bë realitet

Liberalizimi i vizave ka qenë një tjetër arritje e kandidatit të Partisë Demokratike, përgjatë kohës kur ishte ministër i Brendshëm. Më 15 dhjetor të këtij viti, falë dhe angazhimit të ish-ministrit të Brendshëm, u arrit një prej fitoreve më të mëdha, për sa i përket integrimit të shqiptarëve në këto vite, ajo e lëvizjes së lirë. Nga kjo arritje përfituan dhe ata që e votuan pro Lulzim Bashën, por dhe ata që e votuan kundër në Tiranë. Gjithsesi, askush s’mund të mohojë se ka qenë statura politike, por edhe kultura diplomatike e Bashës, një ndër faktorët që arritën ta bënin realitet këtë ëndërr. Nga ana tjetër, ministri Basha ka qenë në krye të një institucioni që arriti të menaxhojë, jo pak, por plot 1735 protesta të opozitës. Sërish statura e tij u mundua të goditej nga opozita, e cila organizoi demonstratën e dhunshme të 21 janarit ku mbetën të vrarë katër persona. Opozita sërish akuzoi Bashën si urdhërues, megjithëse, ligji nuk lejon që ministri të japë urdhra të tillë, por dhe vetë Prokuroria nuk provoi asnjë akuzë të ngritur nga ana e opozitës. Kjo çështje është ende nën hetim, por sërish akuzat e opozitës kanë vijuar të godasin profilin e kandidatit. Madje dhe në deklaratat e djeshme Edi Rama, kundërshtari i tij, nuk harroi të falënderonte jetimët e viktimave të 21 janarit për fitoren e tij.

Basha shfaqet optimist për fitoren, por nuk nxitohet të japë shifra

Procesi s’ka mbaruar, shpresoj që Rama të pranojë çdo rezultat

Mesazhi që ka dërguar kandidati Basha, në drejtim të qytetarëve ka qenë sërish i matur, por optimist për rezultatin që vërtet ndodhet brenda kutisë. Sipas Bashës, procesi është në vazhdim, dhe asgjë nuk është vendosur akoma, me të drejtë kur kemi të bëjmë me një rezultat, që edhe në rast se nuk verifikohet gabimi njerëzor në KQZ sërish mbetet tepër i dyshimtë për të shpallur fituesin. “Në respekt të vullnetit të qytetarëve, unë mbetem i vendosur që çdo votë të lexohet saktësisht dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Nëse në fund të këtij procesi z. Rama është me të vërtetë fituesi unë do ta uroj atë, dhe nëse fituesi jam unë shpresoj po kështu që ai të me urojë mua. Kur fituesi i kësaj gare të jetë i sigurt ne kemi nevojë të ecim përpara dhe jo mbrapsht, sepse ne kemi nevojë të ecim përtej luftës politike dhe të punojmë për zgjidhjen e problemeve. Sepse qytetarët e Tiranës kanë dhënë një mesazh të fortë dhe të qartë: ata nuk duan që Kryebashkiaku të luftojë beteja politike, ata duan që Kryebashkiaku të luftojë betejat e tyre qytetare. Ata duan vende të reja pune dhe një Tiranë moderne evropiane dhe jo grindje shterpë dhe fajësim të të tjerëve. Çdo qytetar nëse ka votuar për mua apo kundër meje mbart këtë mesazh. Dhe kur të kemi rezultatin final dhe këto zgjedhje të kenë mbaruar, të gjithë ne duhet të bashkohemi për të punuar për një të ardhme më të mirë ku të parët të jenë Tirana dhe qytetarët e saj”, tha Basha. Sipas tij, fushata e tij ka ndryshuar mënyrën e të bërit politikë dhe ka qenë në dorë të qytetarëve mënyra e të bërit politikë, dhe jo në dorë të politikanëve. Sipas tij, ende nuk dihet kush është fituesi për shkak të numrit të vogël të votave, duke lënë të kuptohet se çdo dalje për të shpallur fituesin, është e nxituar dhe nuk duhet të merret e mirëqenë nga asnjë krah politik. “Pavarësisht nëse marrim për bazë burimet tona apo të palës tjetër, të dy kandidatët ndahen nga fare pak vota. Asnjë nga kandidatët nuk mori më shumë se 50 për qind të votave. Unë e kam thënë që në fillim të procesit të numërimit se çdo votë duhet të numërohet në mënyrë të ndershme, të saktë dhe transparente. KQZ po përllogarit rezultatin final dhe ne akoma nuk e dimë se kush është fituesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›