E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Brenda një jave regjistrohen 97 ankimime nga partitë

15/05/2011  Në mbledhjen e sotme KQZ-ja do shqyrtojë 11 kërkesa ankimore

Janë 11 ankimime të reja të paraqitura në KQZ nga partitë politike, që sot me anë të shortit do përzgjidhen nga anëtarët e këtij komisioni për shqyrtim me anë të shortit. Pas regjistrimit në KQZ të këtyre 11 ankesave, lista e ankimimeve nga partitë për zgjedhjet, brenda javës ka arritur në 97 kërkesa ankimore për zgjedhjet vendore të 8 majit. Në kërkesat ankimore që do shqyrtohen në mbledhjen e sotme të KQZ-së, nga këto nëntë prej tyre i përkasin koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin” dhe dy kërkesa ankimore janë të koalicionit të majtë “Aleanca për të ardhmen”. Kështu, Partia Demokratike ka paraqitur ankimimet e saj vendimet e KZAZ-së 36, kundërshton vendimin nr. 70 të KZAZ-së numër 2, si dhe vendimin e KZAZ-së 24 për miratimin e tabelës përmbledhëse për kryetar të komunës Fratar, qarku Fier. Gjithashtu, Partia Bashkimi Demokrat i kërkon KQZ-së që të shpallë të pavlefshme zgjedhjet e zhvilluara në QV-së 2563, që i përket KZAZ 13 në Bashkinë Belsh, në qarkun e Elbasanit. Ndër të tjera, PDIU-ja është ankimuar në KQZ duke kundërshtuar vendimin e KZAZ 59 “për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për kryetar të komunës Golem, qarku Tiranë”. Ndërsa, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka dorëzuar në KQZ 2 kërkesa ankimore në lidhje me shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në QV-në numër 1008, 1009,1011 të KZAZ-së numër 6 për kryetar të komunës Lis në qarkun e Dibrës. Gjithashtu, LZHK-ja është ankimuar edhe në lidhje me miratimin e tabelës përmbledhëse për kryetar në këtë komunë. Po ashtu, LZHK-ja i kërkon KQZ-së që të shpallë të pavlefshëm zgjedhjet e zhvilluara në QV-në 133 dhe 132 në komunën Shosh në qarkun e Shkodrës, si dhe shpalljen të pavlefshme zgjedhjet në QV-në 3625 dhe 3634 në komunën Zhepe në qarkun e Beratit. Ndërsa, sa i përket koalicioneve “Aleanca për qytetarin” ka dorëzuar në KQZ kërkesën e saj ankimore 93. Në kërkesën e saj, AQ-ja kundërshton vendimin e marrë nga KZAZ-ja numër 17 “për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të komunës Qukës, në rrethin e Librazhdit që i përket qarkut të Elbasanit. Nga ana tjetër Partia Socialiste ka paraqitur ankimimet e saj në KQZ, ku i kërkon kësaj të fundit miratimin e kundërshtimit të disa vendimeve të marra nga disa QV, të KZAZ numër 5, për garën për kryetarë në komunën Maqellarë, qarku Dibër. Ndërsa Partia G99 i kërkon KQZ-së shpalljen të pavlefshme të QV-së 29665 komuna Gradisht, si dhe kundërshtim të vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të këshillit të komunës Gradisht në qarkun e Fierit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›