Votat, kamerat do të merren në ruajtje
Siguria e kamerave që do të vendosen në qendrat e numërimit të votave pritet të jetë një çështje me rëndësi, e cila do të trajtohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndonëse ende nuk ka asnjë vendim, prej këtij institucioni kanë filluar të qarkullojnë idetë e para rreth mënyrës se si do të procedohet. Opsioni fillestar është ai i pajtimit të një kompanie të policisë private që të marrë përsipër ruajtjen e kamerave dhe administrimin e tyre për llogari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një përcaktim i tillë do të duhej të bëhej përmes një amendimi nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një ide tjetër e garantimit të sigurisë së tyre është që të kujdeset kompania e cila do të sjellë kamerat. Dje, gjatë mbledhjes së KQZ, ndërsa anëtarët e saj ishin duke diskutuar për rolin e policisë në qendrat e numërimit të votave, kreu i këtij institucioni, Arben Ristani, ngriti problemin e ruajtjes së kamerave gjatë gjithë këtij procesi. "Një problem që nuk është sanksionuar këtu është siguria e kamerave. Ndoshta duhet ta zgjidhim me polici private për t‘i ruajtur ato", tha Ristani. Lidhur me këtë mundësi, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, shprehu mendimin se kjo ishte një çështje e cila i takonte kompanisë që do t‘i garantojë kamerat. "Është malli i vet", tha Gjonçaj. Megjithatë, kryetari i KQZ-së, Ristani, pranoi se kjo është një çështje tjetër për të cilën duhet të diskutohet së shpejti dhe se nuk i takon çështjeve të rendit të ditës. "Nëse duhet, mund ta zgjidhim me një amendim", shtoi kreu i KQZ-së. Bashkë me kamerat që në vetvete përbëjnë një risi për procesin zgjedhor në Shqipëri, është hera e parë që mendohet të përfshihet në lojë policia private. Në qendrat e numërimit të votave, sipas vendimit që u miratua dje, do të jenë të pranishme forcat e Policisë së Shtetit, që do të garantojnë rendin dhe sigurinë në këto ambiente. Shtimi i një elementi, siç janë kamerat, ka sjellë nevojën e garantimit të sigurisë së tyre. Bëhet fjalë për ditën e zgjedhjeve, ku forcat e policisë do të jenë të angazhuara në të gjitha pikat ku kryhet votimi, shoqërimi dhe pastaj numërimi i votave. KQZ nuk i ka dhënë ende zgjidhje një çështjeje të tillë, ndërsa është duke u marrë me blerjen e aparaturave. Burimet nga ky institucion konfirmuan se momentalisht janë mbi dhjetë firma të interesuara për të siguruar kamerat që i duhen KQZ-së për të vëzhguar numërimin e votave në qendrat e votimit. Pasi të arrijë marrëveshjen me kompaninë, projektvendimi që u miratua pak kohë më parë nga KQZ-ja thotë se 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve duhet të fillojë instalimi i tyre dhe të përfundojë deri në dhjetë ditë para datës së zgjedhjeve.